Itali- Është rritur numri i viktimave që u bënë pjesë e një tragjedie në Itali, pas shkëputjes së një kabine teleferiku. Fatkeqësisht, nga mediat vendëse raportohet se numri i viktimave ka shkuar në 14, madje raportohet se ka ndërruar jetë edhe djali 9-vjeçar që po luftonte me vdekjen në spitalin e Torinos.
I mituri kishte pësuar fraktura të rënda në trup dhe ishte dërguar me helikopter në spitalin “Regina Margherita”. Në kabinën e teleferikut ndodheshin 15 persona, prej të cilëve kanë ndërruar jetë 14 persona, dhe vijon të jetë në gjendje të rëndë edhe një 5-vjeçar që ka pësuar trauma torako-abdominale dhe fraktura në gjymtyrët e poshtëm.
Një tjetër fëmijë dyvjeçar konfirmohet të jetë mes viktimave. “Ne bëmë gjithçka që qe e mundur, por pas tentativave për ta mbajtur në jetë, ai nuk ia doli”,- tha drejtori i spitalit lidhur me 9-vjeçarin që ndërroi jetë.
Kabina e teleferikut u shkëput papritur duke u rrëzuar mesditën e sotme rreth orës 13:00. Shkaqet ende mbeten të panjohura, por dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të shkëputjes së kavos mbajtëse, rreth 300 metra larg pikës së mbërritjes.
Teleferiku ndodhej në një lartësi prej 1491 metrash. Shëtitja me teleferik po kryhej në një nga zonat më të populluara për turistët, ku i gjithë udhëtimi zgjat 20 minuta. Teleferiku “Stresa Mottarone” merr turistë dhe vendas nga qyteti i famshëm i Stresa-s, në liqenin Maggiore, me gati 1500 metra mbi nivelin e detit deri në majën e malit Mottarone.
Kabina u shemb në një zonë të pyllëzuar dhe të papërshkueshme, ku operacionet e shpëtimit nuk janë të lehta, në një nga pikat më të larta të impiantit.