Kosovë- Dorëheqja e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit të Kosovës, krijon një situatë të re dhe sfidë për Kosovën në aspektin e brendshëm politik, si dhe për imazhin e saj në arenën ndërkombëtare, vlerëson njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi. Sipas tij, Kosova në këtë moment ka nevojë për një unitet të skenës politike.
Uniteti i gjerë i skenës politike është i domosdoshëm për të mos lejuar që të krijohen vakume institucionale, por edhe për të bërë të mundur që të shtyhen përpara proceset shtetërore dhe institucionale, vlerëson analistja Jeta Krasniqi.
Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të vendit, më 5 nëntor, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Uniteti i nevojshëm politik për menaxhim të situatës
Njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi, për Radion Evropa e Lirë, thekson që pas dorëheqjes së Thaçit, nga spektri politik kërkohet maturi për t’u ballafaquar me situatën e krijuar dhe të menaxhojnë politikën e brendshme. Sipas tij, aktualisht mund të krijohet një vakum i madh politik dhe partitë politike, tani duhet të shmangin luftën ndërmjet tyre, për të ruajtur interesat e vendit. Siç thotë ai, në situatën aktuale, do të ishte amatorizëm politik në rast se synohet ndonjë lloj përfitimi nga partitë veç e veç.
“Kjo do të shkonte në dëm të çdo partie politike. Nuk e ka kapacitetin asnjë parti politike që e vetme ta menaxhojë këtë situatë. Duhet të lihen anash interesat ditore dhe të gjendet një lloj konsensusi, i cili e bën bashkë spektrin politik dhe jo vetëm atë, sepse sfida është aq e madhe sa që do të duhej kontributi i të gjithëve për ta tejkaluar atë. A do të kenë mundësi dhe forcë partitë politike që të arrijnë një gjë të tillë, përvoja e deritashme nuk na e jep këtë shpresë. Mirëpo, në rast se kjo nuk është një lloj alarmi për t’u zgjuar nga letargjia, atëherë nuk e di se çka mund të jetë”, theksoi Ibrahimi.
Efektet mbi dialogun Kosovë-Serbi
Ndërkaq, Ilir Ibrahimi vlerëson që zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për momentin, nuk janë zgjidhje për situatën e tanishme. Sipas tij, ato nuk mund ta ndryshojnë shumë realitetin politik dhe partive politike sërish do t’iu duhet që të ulen bashkë për ta bërë një qeveri, e cila do të përballej me sfidat që e presin vendin.
Ai shtoi se aktakuzat e konfirmuara ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit, ish-zyrtarëve të lartë, por edhe figurave të larta në kuadër të partive politike të Kosovës, e të cilët dikur kishin udhëhequr luftën, do të ndikojnë edhe në aspektin ndërkombëtar. Siç thekson ai, spektri politik në Kosovë, duhet të jetë i vetëdijshëm që në planin e jashtëm, Kosova më nuk do të shihet sikurse deri më tash dhe do të duhet punë shumë e madhe për ta tejkaluar sfidën