Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i faqeve të internetit të hapura me domainin “.al” ka qenë në rritje gjatë vitit 2020 kur edhe nisi pandemia e COVID-19.
Kjo rritje ishte me të paktën 5.1 për qind në raport me shifrat e vitit 2019. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare që administron domain-in “.al” sipas ligjit “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar raportoi edhe shifrat.
“Numri i domain-eve me “.al” të regjistruar për vitin 2020 është 5726 domain-e. Numri total i domain-eve “.al” deri në fund të vitit 2020 arriti në 24.029 domain-e.
Në terma statistikorë vihet re se kemi një rritje në numër të domain-eve të regjistruar krahasuar me vitin 2019, me rreth 1170 domain-e të regjistruar më tepër gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019” thuhet në raport.
Raporti vlerëson se gjatë vitit 2020 pati një vëmendje më të madhe për faqet zyrtare që vijnë nën domain-in .gov.al.
“Për shkak të situatës pandemike Covid-19, domain-eve “.gov.al”, gjatë vitit 2020 u është kushtuar vëmendje e veçantë, për shkak se faqet e ndërtuara me këto domain-e, përbënin burimin kryesor për informimin e sigurt të publikut mbi menaxhimin e situatës pandemike. Gjithashtu, edhe Portali e-Albania (që funksionon me domain-in e-albania.al), ka qenë gjithë kohës aktiv dhe ka ofruar shërbime online kritike për të gjithë qytetarët dhe bizneset gjatë vitit 2020. Nga pikëpamja statistikore, gjatë vitit 2020 janë regjistruar 31 domain-e “.gov.al” dhe janë rinovuar 97 të tillë. Në fund të vitit 2020, numri total i domain-eve “.gov.al”, rezulton të jetë 409” sqaron AKEP.
Situata e krijuar nga COVID-19 ka ndikuar, nga ana tjetër, edhe punën e Autoritetit për të zhvilluar kontrollet në terren për Regjistrarët e domain-eve që u përfshi në planin e kontrollit për herë të parë nga ana e AKEP. Rregullatori raportoi se nga 10 kontrolle të planifikuara u zhvilluan vetëm dy.
Pas përfundimit të inspektimit është dhënë masa administrative (dënim kryesor) “Paralajmërim” për 1 subjekt dhe dënim plotësues në formën e rekomandimit për një tjetër. Në vitin 2020 nga pagesat për Domain janë faturuar rreth 11.87 milionë lekë dhe janë arkëtuar rreth 11.7 milion lekë.