Sektori i ndërtimit do të përshpejtojë vrullin në vijim, për shkak se numri i lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqja e re shënuan rritje të konsiderueshme në tremujorin e parë të vitit 2021.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në 3-mujorin e parë 2021 janë miratuar gjithsej 251 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 184 leje të miratuara në tremujorin e parë 2020, duke shënuar një rritje prej 36,4%. Bashkia e Tiranës ka lëshuar 74 leje, të cilat përbënin 28.6% të totalit.
Por sipërfaqja e ndërtimeve të reja u rrit me ritme më të shpejta. Sipas lejeve që i takojnë tremujorit të parë do të ndërtohen 599,446 metër katrorë në të gjithë vendin me një rritje 80% në raport me vitin 2020, por 73.7% e kësaj sipërfaqeje do të ndërtohet në Tiranë. Në kryeqytet sipërfaqja e re është dyfishuar. Në janar-mars 2021 është autorizuar të ndërtohen 442,152 metër katrorë, me një rritje 155% në raport me tremujorin e parë të vitit 2020.
Të dhënat mbi lejet e reja sinjalizojnë, se zhvillimet në sektor do t’i afrohen rekordit të vitit 2019. Shqipëria shënoi një rekord për leje e reja dhe sipërfaqen në tremujorin e tretë të vitit 2019, me 685,455 metër katrorë në të gjithë vendin, nga të cilat 556,848 metër katror ishte autorizuar për ndërtim në Tiranë. Në tremujorin e parë 2021, sipërfaqja e re për ndërtim në të gjithë vendin ishte 13% më e ulët se rekordi i tremujorit të tretë 2019, ndërsa në Tiranë ishte 21% më i ulët.
Që nga viti 2005, tremujori i parë këtij i viti ishte i dyti me sipërfaqen më të madhe të dhënë për ndërtim.
Sektori i ndërtimit dhe bizneset e lidhura nuk ishin të goditura nga pandemia Covid-19, duke u bërë frenuesi kryesor i rënies ekonomike. Ekonomia shqiptare ra me 3.31% në vitin e pandemisë 2020, shumë më e ulët se pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare prej mbi 7% dhe të vetë vlerësimeve të fundit të qeverisë prej -4.4%.
Në rajon, Shqipëria ka ecurinë e dytë më të mirë pas Serbisë, e cila u tkurr me -1.5% në 2020-n, ndërsa për vendet e tjera, tkurrja ka qenë rreth -5%, apo më e lartë. Përmirësimi ka ardhur nga tremujori i katërt, ku ekonomia u rrit me 2.99%. Sektorët me ecurinë më të mirë ishin ndërtimi (i nxitur dhe nga procesi i rindërtimit), që ndikoi në 1.84% të rritjes. Gjithashtu sektori i pasurive të paluajtshme ka shënuar rritje pozitive në gjithë tremujorët (2.83% në të parin; 5.47% në të dytin; 9.54% në të tretin dhe 8.93% në të katërtin).
Kryeqyteti vijon të zgjerohet me ritme të shpejta sidomos në objekte të luksit me kulla shumëkatëshe kryesisht në zonën e qendrës, ndërkohë që emigracioni i lartë dhe rënia e lëvizjeve, po tkurrin ritmin e rritjes së popullsisë së Tiranës. Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e Tiranës u rrit me 11 mijë e 6 banorë në vitin 2020, teksa një vit më parë u rrit me 11, 164 banorë, kurse në vitin 2018, Qarku i Tiranës ishte shtuar edhe me 21 mijë e 635 banorë të rinj.
Një anketë mbi emigracionin në vitin 2019 e zhvilluar nga INSTAT gjeti se popullsia e kryeqytetit është pakësuar me 10% ose më shumë se 100 mijë persona gjatë periudhës 2011-2019.
Marrë nga Monitor.al