Sektori bankar dha 16.9 miliardë lekë kredi të reja për ekonominë gjatë muajit prill.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re pësoi një rënie të lehtë me 1.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për katërmujorin e parë të vitit, bilanci megjithatë ngelet pozitiv, me një total disbursimesh të reja prej 65 miliardë lekësh, 6.4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas segmenteve kryesore të tregut, shifrat tregojnë se kreditimi i individëve vazhdon të shfaqë një ecuri mjaft pozitive. Për katër muajt e parë të vitit, bankat kanë dhënë 21.7 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kredia për individët po mbështetet sidomos nga një kërkesë mjaft e lartë për të investuar në pasuri të paluajtshme. Normat e ulëta të interesit dhe gatishmëria e lartë e sektorit bankar për të financuar në këtë segment po i nxisin individët të marrin hua për të investuar kryesisht në banesa. Edhe për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve, duket se blerja e një shtëpie po konsiderohet si një investim i leverdishëm.
Ndërsa në segmentin e biznesit kredia e re këtë vit po shfaq një lloj frenimi, pas ecurisë pozitive në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Për 4-mujorin, kredia e re kishte vlerën e 39.7 miliardë lekëve, në rënie me 12.3% krahasuar me një vit më parë.
Performanca e kredisë për ekonominë paraqitet pozitive edhe e vlerësuar si tepricë e portofolit, që në fund të muajit prill arriti në 615.3 miliardë lekë. Portofoli i kredisë u rrit me 4.5 miliardë lekë krahasuar me muajin mars, ndërsa me bazë vjetore rritja ka arritur në 6.4%. Teprica e huasë për ekonominë ndihmon për të krijuar një tablo më të qartë të vijimësie së kreditimit dhe për të “zhveshur” ecurinë e kredisë së re nga efekti i rifinancimeve të kredive të maturuara apo blerjeve të kredive nga njëra bankë te tjetra.
I matur si tepricë, portofoli paraqitet në rritje të qëndrueshme, si për bizneset ashtu edhe për individët. Kredia për bizneset private ka vlerën e rreth 375 miliardë lekë dhe është në rritje vjetore me 8.2%. Ky segment vazhdon të jetë dominues në volume totale të huasë për ekonominë, me rreth 61% të portofolit total. Ndërsa segmenti i kredisë për ndërmarrjet publike vazhdon të jetë në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me një vit më parë, me rreth 34% më pak. Ky segment ka një peshë relativisht të ulët në portofolin total dhe në pjesën më të madhe përbëhet nga financimet për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare.
Portofoli i kredisë për individë ka arritur vlerën e 216.3 miliardë lekëve, në rritje me 1.5 miliardë lekë krahasuar me marsin dhe rreth 7.6% më bazë vjetore.
Si për bizneset, ashtu edhe për individët, rritja e portofolit vazhdon të jetë e përqendruara kryesisht te kredia në monedhën vendase, në vijim të tendencës së qartë të viteve të fundit të rritjes së huadhënies në lekë.
Marrë nga Monitor.al