Monitorimi i tendeve të punësimit në kohë reale, publikuar nga Banka Botërore tregon mënyrën sesi operojnë sektorët për të gjetur punonjësit, preferencat e tyre për kanalet ku njoftojnë këto nevoja për punonjës si dhe sektorët që kanë më shumë kërkesa pavarësisht krizës së COVID-19.
Nga monitorimi mes qershorit dhe gushtit të vitit 2020, raporti i bankës vëren se u bënë dy herë më shumë postime online në portalet private të punësimit sesa në portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
“Shumica e vendeve të lira të punës të postuara në portalet private të punës janë të përqendruar në qendrën ekonomike që është Tirana. Përveç këtij përqendrimi, portalet private të punësimit gjithashtu mbulojnë më shumë qytete, ndërsa vendet e lira të punës të publikuara në faqen e internetit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit janë më shumë të shpërndara në mënyrë të barabartë nëpër qytete më të mëdha” thuhet në raport.
Sa i takon sektorëve më aktivë rezulton se 77 përqind e të gjitha njoftimeve për punë në internet janë në sektorin e shërbimeve, që përbën pothuajse gjysmën e punësimit në Shqipëri në 2019 sipas të dhënave nga Anketa e Fuqisë Punëtore.
“Një vështrim nga afër i të dhënave tregon se numri më i madh i vendeve të lira të punës u postuan nga kompanitë e tregtisë me shumicë dhe pakicë (20 përqind e vendeve të lira të punës), pasuar nga bizneset e përqendruara veprimtari profesionale, shkencore dhe teknike (p.sh., këshillim dhe menaxhim) (15 përqind e vendeve të lira të punës) dhe firmat në industrinë prodhuese (13 përqind e vendeve të lira të punës)” thuhet në dokument.
Raporti vëren se fokusi sektorial i portalit të Shërbimit Publik të Punësimit ndryshon nga portalet private të punësimit. Pothuajse të gjitha vendet e lira të punës lidhur me veprimtari profesionale, shkencore dhe teknike, të cilat kryesisht janë pozicione konsulente, janë publikuar në portale private punësimi. Anasjelltas, vendet e lira të punës në prodhim, akomodim e shërbimet e ushqimit kryesisht ofrohen përmes portalit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
“Këto zbulime sugjerojnë që portalet private të punësimit mund të mbizotërojnë në sektorët që lidhen me një përqindje më të lartë të punëve që kërkojnë aftësi të larta apo mesatare.
Portalet e punësimit (si private ashtu edhe publike) mbulojnë një segment të përzgjedhur të tregut të punës, pasi shumë vende pune janë ende të plotësuara përmes kanaleve joformale në Shqipëri. Megjithatë, monitorimi i vendeve të lira të punës në internet mund të sigurojë informacion në kohë reale mbi trendet specifike të industrisë, që është veçanërisht e rëndësishme gjatë krizës COVID-19” thuhet në dokument.
Shembulli në figurën 4(shih ne fund të artikullit) tregon që industritë në rrezik gjatë pandemisë COVID-19 (shënuar me të kuqe) janë ato akoma duke gjeneruar shumicën e vendeve të lira të punës, që nga gushti i vitit 2020. Anasjelltas, sektorët që përballen me rrezik më të ulët mund të përjetojnë një numër më të madh të postimeve sesa zakonisht, siç është ndoshta rasti për shëndetin edhe aktivitetet e punës sociale. Më shumë analiza do të kryhen për të konfirmuar këto hipoteza fillestare.
Sipas BB seri kohore më të gjata mund të përdoren për të monitoruar ndikimin e krizës COVID-19 në sektorë, si dhe rimëkëmbjen e tyre, duke siguruar të dhëna në kohë reale dhe të ndara.
Marrë nga Monitor.al