Ndryshojnë standardet ndërkombëtare të raportimit financiar.
Urdhri i ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj për përkthimin në gjuhën shqipe dhe shpalljen e ndryshimeve në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar u botua në Fletoren Zyrtare. Ndryshimet do të nisin zbatimin nga 1 janari 2023.
“Njësia ekonomike do të zbatojë ndryshimet në SNK 1 dhe SNK 8 për periudha vjetore raportuese që fillojnë në datën 1 janar 2023 ose më pas. Lejohet zbatimi përpara kësaj date. Për SNK 1, nëse njësia ekonomike i zbaton këto ndryshime për një periudhë më të hershme, ajo do të japë informacione shpjeguese për këtë fakt. Për SNK 8, njësia ekonomike do të zbatojë ndryshimet në vlerësimet kontabël dhe ndryshimet në politikat kontabël që ndodhin në periudhën e parë raportuese vjetore, në të cilën zbaton ndryshimet, ose më pas”, përcaktohet në urdhrin e ministres së Financave.
Kontabilistët shpjeguan se Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) vazhdimisht ndryshojnë dhe përmirësohen. Në rastin e Shqipërisë SNRF-të, përdoren nga shumë pak kompani, kryesisht, si: bankat, kompanitë e sigurimit, si dhe nga kompanitë e tjera që janë pjesë e grupit ndërkombëtar.
Në vitin 2020 standardet ndërkombëtarë të raportimit financiar ndryshuan në muajt janar, maj, qershor, korrik dhe gusht.
Marrë nga Monitor.al