Nga rishikimi i orarit të muzikës, të lëvizjes dhe deri te ulja e TVSh-së në masën 6%, sa në nivelet e turizmit janë kërkesat që Shoqata e bareve, Restoranteve dhe Klubeve kërkon të plotësohen nga qeveria nëpërmjet një letre drejtuar sot kryeministrit Edi Rama, ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve kërkon miratimin e këtyre kërkesave për shkak të rënies së lartë të xhiros, që sipas tyre nisi që në periudhën e karantinës dhe vazhdon edhe sot. Shqetësuese për ta është edhe konkurrenca e pandershme, ku respektimi i orareve të funksionimit të aktivitetit dhe lejimit të muzikës nuk zbatohen njësoj te këto struktura shërbimi.
Duke nisur nga 1 qershori, masat kufizuese kundër Covid-19 në Shqipëri u lehtësuan. Situata epidemiologjike paraqitet e kontrolluar, dhe për këtë, Komiteti Teknik i Ekspertëve më herët vendosi që ora e lejimit të lëvizjeve të shtyhet deri në 23:00, ndërsa klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00. Nga 1 korriku orari i lejimit të lëvizjeve është deri në orën 24:00, ndërsa orari i lejimit të muzikës do të mbetet i pandryshuar.
DREJTUAR: Z. Edi RAMA
KRYEMINISTËR
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë
Znj. Ogerta MANASTIRLIU
MINISTËR I SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE
Rruga e “Kavajës”, Tiranë
- Arben AHMETAJ
MINISTËR I SHTETIT PËR RINDËRTIMIN
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë
NGA: Shoqata ‘Bar Restaurants & Clubs’
OBJEKTI: Për rishikimin e orarit të mbylljes për subjektet që ushtrojnë aktivitet në fushën e bareve dhe restoranteve dhe Clubeve
I Nderuar Z. Kryeministër,
E Nderuar Znj. Ministre,
I Nderuar Z. Ministër,
Duke mirëkuptuar situatën e pandemisë së COVID-19 dhe efekteve që ka sjellë në vend, , ne përfaqësuesit e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në fushën e bareve dhe restoranteve kemi harruar bizneset tona dhe sot jemi ndër më të dëmtuarit nga kjo situatë. Ne jemi kartëvizita e Shqipërisë me turistët vendas e të huaj, që me punën dhe investimet tona motivojmë mijëra të rinj e të reja të punojnë e studiojnë në Shqipëri.
Efektet ekonomike të kësaj situate janë të pakonceptueshme sa i përket ringritjes së aktivitetit për shkak se rënia e xhiros nisi që përpara mbylljes me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe po vijon edhe sot.
Së pari, kërkojmë rishikimin e orarit të muzikës pasi nuk mendojmë që qytetarët duhet të edukohen me muzikën e betoniereve që punojnë orar e pa orar. Rishikimin e orarit të mbylljes së aktivitetit tonë pasi kjo mbyllje ekziston për bllokun e qëndrën e qytetit dhe per sheshet e koncertet nuk ka as orare dhe as pengesa në grumbullime masive.
Së dyti, rishikimin e lëvizjes së lirë si një e drejtë themelore kushtetuese e garantuar me ligj.
Të nderuar zotërinj deri më sot kemi treguar durim e vetpërmbajtje duke kuptuar situatën në të cilën gjendej vendi, por sot nuk mund të rrimë më pasi urdhërat e vendimet zbatohen në mënyrë selektive duke mos pasur as konkurrencë të ndershme e duke rrezikuar në mënyrë serioze ekonominë e bizneseve tona e të familjeve tona.
Së treti kërkojmë disa masa lehtësuese për kategorinë e bizneseve tona. Pasi deri më sot kjo kategori vetëm është penalizuar ndërkohë që jemi ndër taksapaguesit më të rregullt. Uljen e TVSH-së në të njëjtin nivel si sektori i turizmit dhe agroturizmit e shikojmë si një instrument të domosdoshëm dhe kyç për të nxitur e zhvilluar vijimin e aktivitetit në të njëjtin kapacitet si më parë dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Të gjitha kërkesat sa më sipër i konsiderojmë të domosdoshme për t’u marrë në shqyrtim nga qeveria, pasi çdo zgjidhje tjetër e një natyrë më të përgjithshme, nuk do të ketë sukses në rimëkëmbjen e subjekteve tona dhe vijimin e pagesës së taksave aq të domosdoshme për arkën e shtetit.
Duke iu uruar sukses në vijimin e detyrave Tuaja,
Me respekt.
Marrë nga Monitor.al