Dhomat e Specializuara në Hagë njoftojnë se ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, do të bëjë paraqitjen e parë para gjyqit të këtij institucioni më 10 nëntor. Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, do të paraqitet para këtij institucioni më 11 nëntor.
Siç njoftojnë Dhomat e Specializuara, seanca ndaj Veselit do të nisë në orën 15:00 dhe do të jetë publike.
Seanca ndaj Selimit do të nisë në orën 11:00 dhe po ashtu do të jetë publike.
Veseli dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë më 5 nëntor.
Aktakuza ndaj Veselit dhe Selimit për krime lufte ishte konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake më 26 tetor, por nuk u bë publike deri më 5 nëntor.
Në aktakuzën e njëjtë është i pandehur edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Që të gjithë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit
Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.
Seanca e parë i është caktuar edhe Jakup Krasniqit, që do të paraqitet para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, duke filluar nga ora 11:00, ndërkaq Hashim Thaçi, po atë ditë, do të bëjë paraqitjen e parë duke filluar nga ora 15:00.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.