Kredia bankare po orientohet gjithnjë e më shumë drejt afateve të gjata të maturimit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit prill kredia afatgjatë, me afat maturimi mbi pesë vjet, përbënte rreth 60.5% të portofolit total të kredisë bankare, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë zinte pak më shumë se 57%. Në vlerë, sektori bankar kishte një tepricë kredie afatgjatë në vlerën e rreth 368 miliardë lekëve, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e peshës së kredisë afatgjata lidhet direkt me ndryshme të rëndësishme strukturore për sa i takon kreditimit në vitet e fundit. Kreditë afatgjata zakonisht janë kreditë me qëllim investimin në pasuri të paluajtshme nga bizneset dhe familjet, si edhe investimet në makineri dhe pajisje nga bizneset. Pikërisht këto produkte të kredisë kanë shënuar edhe ritmet më të larta të rritjes në vitet e fundit.
Shtysa kryesore ka qenë tendenca në rritje për të investuar në pasuri të paluajtshme, si nga individët, ashtu edhe nga bizneset. Kjo tendencë vijoi edhe në periudhën e pandemisë. Në një periudhë të pasigurt, pronat po vlerësohen si një investim i mirë, sjellje e nxitur edhe nga një rritje e shpejtë e çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit. Nga ana tjetër, oferta e lartë e bankave për këto kredi dhe normat më të ulëta historike të interesit kanë qenë një shtysë për ë rritur investimin në pasuri të paluajtshme, si nga individët, ashtu edhe nga bizneset.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për blerje banesash nga individët ka arritur vlerën totale të 131 miliardë lekëve ose rreth 1.07 miliardë eurove. Ky produkt tashmë ka peshën kryesore në portofolin total të kredisë bankare dhe gjatë 12 muajve të fundit (deri në prill 2021) është rritur me mbi 10.2.
Me ritme të shpejta po rritet edhe kredia për pasuri të paluajtshme dhënë bizneseve, që ka arritur në 107.7 miliardë lekë, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për bankat, rritja e peshës së kreditimit afatgjatë është një zhvillim pozitiv, sepse mundëson një rritje të qëndrueshme të portofolit të kredisë dhe siguron të ardhura për periudha më të gjata. Kjo përfaqëson një lloj përmbysje nga tendenca që mbizotëronte deri në vitin 2016, kur kreditimi dominohej kryesisht nga financimet për nevoja afatshkurtra të biznesit, në formën e overdraftit apo kredisë për kapital qarkullues. Këto kredi kanë afate të shkurtra maturimi, deri në një vit, fakt që i vendoste bankat para nevojës për të ripërtërirë me një frekuencë mjaft të shpeshtë një pjesë të madhe të portofolit të tyre të kredisë./ E.Shehu
Marrë nga Monitor.al