Meteorologu Hakil Osmani, bën me dije se vendi ynë gjatë kësaj fillim jave do të jetë në mbizotërimin e temperaturave të larta ku pritet që të regjistrohet vlera në 39 gradë, por duke u tejkaluar lehtësisht deri ditën e mërkurë.
Osmani tha për Abcnews.al se ditën e mërkurë do të kemi një ulje graduale të vlerave termike, duke bërë që në fundjave maksimumet të shkojnë deri në 35 gradë celsius në Ultësirën Perëndimore.
Sa i përket kushteve të motit, mbetemi në mbizotërimin e kthjellimeve në pjesën më të madhe të territorit shqiptar dhe kalimeve të lehta të vranësirave të cilat në zonat malorë pritet të krijojnë mundësi për rrebeshe afatshkurtra shiu ku më të dukshme do të jenë në pjesën e dytë të javës.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mbrëmjeve mbeten në mbizotërimin e motit të kthjellët, ndërsa mesdita do të ketë prezencë të vranësirave të cilat herë pas here do të kenë zhvillim duke krijuar kështu mundësi për reshje afatshkurtra shiu.
Sa i përket vlerave termike, mbeten deri ditën e mërkurë të larta si në Kosovë po ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut ku priten vlera edhe në 39-40 gradë celsius në Maqedoninë e Veriut.
Për fat të mirë edhe në këto dy shtete mesjava e deri në fundjavë sjell një rënie të ndjeshme me të paktën 4 -5 gradë të vlerave termike, si në vlerat minimale dhe në ato maksimale duke u afruar kështu më afër vlerave normale sa i përket muajit korrik.