Tërmeti i 26 nëntorit 2019 edhe pse pranohet që ishte më i gjatë sesa 15 sekondat e regjistruara nga pajisjet e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) nuk mundi të ketë një kohëzgjatje të certifikuar zyrtarisht.
Kjo pasi pas ndërprerjes së energjisë si pasojë e tërmetit pajisjet në stacionin e Durrësit u fikën duke e bërë të pamundur regjistrimin. Por kur kanë kaluar gati dy vite nga ngjarja Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se disa nga rekomandimet e bëra prej tij edhe pse janë pranuar nga Instituti nuk kanë arritur të çohen deri në fund.
Në auditimin e investimeve që vetë KLSH ka bërë më herët raportonte se investimet në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe ato janë në përpjesëtim të zhdrejtë me rëndësinë me rëndësinë kombëtare që ka monitorimi i aktivitetit sizmik, meteorologjik dhe hidrologjik.
“Pasojat e mungesës së investimeve të domosdoshme në drejtim të teknologjisë së informacionit dhe më gjerë, janë vënë re gjatë ngjarjeve të fundit në vend. Konkretisht, referuar regjistrimeve të vëna në dispozicion nga Departamenti i Sizmologjisë në IGJEUM në lidhje me tërmetin e datës 26.11.2019, i cili ka patur ndikim në jetë njerëzish dhe dëme të shumta materiale, konstatohet se mungojnë të dhëna të plota nga stacioni i Durrësit, i cili është stacioni më i afërt me vatrën e tërmetit. Ky stacion ka regjistruar vetëm 15 sekondat e para të tërmetit, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Nisur nga fakti që gjatë një tërmeti të fortë ekziston një probabilitet i lartë për ndërprerjen e energjisë elektrike, është e domosdoshme pajisja e stacioneve sizmologjike me bateri (UPS) të cilat mundësojnë regjistrimin e të dhënave edhe nëse ndërpritet energjia elektrike” do të nënvizonte KLSH.
Në një vendim të prillit të këtij viti që ka marrë në analizë zbatimin e rekomandimeve ky institucion ka kërkuar që rekomandimi për investimet në IT të zbatohen menjëherë për vetë rëndësinë që kanë.
“IGJEUM në bashkëpunim me UPT, duke marrë shkas edhe nga problematikat e shfaqura gjatë tërmetit të datës 26.11.2019, të marrin menjëherë masat e nevojshme për analizimin e situatës dhe hartimin e një plan veprimi të ndarë në 3 faza, afat shkurtër, afat mesëm dhe afat gjatë, për kryerjen e ndërhyrjeve në sistemet IT si dhe në ambientet fizike ku këto sisteme janë, me qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme për mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave që këto sisteme kanë, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të fushës” nënvizon vendimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Marrë nga Monitor.al