Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare ikona e televizionit italian, Raffaella Carrà. “Raffaella na la. Shkoi në një botë më të mirë, ku humanizmi, e qeshura dhe talenti i saj i jashtëzakonshëm do të shkëlqejnë përgjithmonë”. Me këto fjalë Sergio Iapino ka dhënë lajmin e trishtë duke u bashkuar me dhimbjen e të afërmve dhe të miqve të ngushtë të ikonës së televizionit.
Carra ka ndërruar jetë në orën 16:20 të ditës së sotme, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të pashërueshme.
Është e vështirë për ta përshkruar në pak fjalë ikonën historike të ekranit të madh. Ajo do të mbahet mend për ngrohtësinë që i përcillte publikut të saj në çdo kohë.
Raffaella Carrà ishte një artiste që i bëri të gjitha në skenë; këngëtare, kërcimtare, aktore, zonja e vërtetë e televizionit, i bëri të gjithë të qeshin me ëmbëlsinë e saj të jashtëzakonshme.
Ajo është autore e dhjetra këngëve të njohura, ka luajtur në disa filma dhe ka drejtuar një sërë programesh të njohura si “Domenica in”, “Ma che sera”, “40 minuti con Raffaella”.
Raffaella Cara ka prezantuar gjithashtu spektaklin italian “Sanremo” si dhe ka marrë pjesë në Eurovision.
Biondja e njohur me modelin bob është bërë simbol i vërtetë i sensualitetit, këmbënguljes dhe profesionalizmit maksimal. Janë të shumta tiparet që e kanë bërë Carrà karakter unik dhe të paimitueshëm në ekran. Sepse ajo ishte një zonjë e rrallë, shumë e aftë të riparë vetveten, e guximshme dhe e ndjeshme ndaj publikut.Raffaella ka arritur të qëndrojë përballë emrave të mëdhenj televizivë si Pippo Baudo, Mike Bongiorno, Corrado, Paolo Panelli, Alighiero Noschese etj., duke ia dalë mbanë në të gjitha kohët të jetë ‘nëna e pakonkurrueshme’.
Raffaella Maria Roberta Pelloni është emri i vërtetë i artistes. Ajo lindi në Bolonja, më 18 qershor 1943 dhe u rrit në Romagna. Kur ishte ende fëmijë, u transferua në Romë për të studiuar në Akademinë Kombëtare të Dancit dhe në Qendrën Eksperimentale Kinematografike. Në vitet 1960, ndryshoi emrin duke përdorur pseudonimin e artit me të cilin është njohur deri më sot.