Kredia konsumatore po rritet me ritme të shpejta në pjesën e parë të këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin maj sektori bankar dha rreth 2.5 miliardë lekë, gati dy herë e gjysmë më shumë krahasuar majin e vitit të kaluar.
Në total, kredia e re për qëllime konsumi për periudhën janar-maj arriti në 11 miliardë lekë, në rritje me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është njëkohësisht edhe vlera më e lartë e kredisë konsumatore e disbursuar për periudhën pesë mujore, në pesë vitet e fundit.
Portofoli total i kredisë konsumatore në fund të majit arriti vlerën e 53 miliardë lekëve ose rreth 430 milionë euro. E llogaritur si ndryshim në tepricën e portofolit, kredia konsumatore në harkun e një viti është rritur me 6.4%.
Në përgjithësi, rritja e kreditimit në pjesën e parë të këtij viti është mbështetur nga huaja për individët. Statistikat treguan se për pesë mujorin e parë kredia e re në këtë segment arriti vlerën e pothuajse 29 miliardë lekëve ose rreth 235 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar, kreditimi për individët është rritur me 57% ose më shumë se 10 miliardë lekë.
Kthimi gradual i kredisë konsumatore drejt normalitetit nisi që nga mesi i vitit 2020, pas heqjes së masave kufizuese dhe rihapjes së ekonomisë. Bankat po ruajnë një qasje optimiste në raport me kreditimin e individëve, pavarësisht krizës dhe përkeqësimit në treguesit e punësimit. Besimi se pandemia do të kishte një ndikim afatshkurtër bëri që bankat të mbështesnin kërkesat e publikut për të mbështetur konsumin, paralelisht edhe me financimet për blerjen e pronave.
Kreditimi i individëve ka avantazhin e shpërndarjes më të gjerë të rrezikut kreditor, duke ulur ekspozimin mesatar në huamarrës të veçantë. Edhe për këtë arsye, raportet e kredive me probleme në përgjithësi rezultojnë më të ulëta krahasuar me kredinë për biznesin. Për këto arsye, bankat po vazhdojnë të rritin kreditimin tek individët me ritme të larta, duke dhënë një kontribut pozitiv në mbështetjen e konsumit në ekonomi.
Një ndër të paktët produkte të kredisë konsumatore që nuk ka shënuar rritje është paradhënia bankare ose overdraft. Vlera e overdafteve të reja të dhëna gjatë këtij viti është nivele të përafërta me pesëmujorin e parë të vitit të kaluar. Si një produkt i lidhur direkt me pagën, overdrafti ndoshta po vuan ende efektet e rënies së punësimit, pas pandemisë.
Të dhënat e Instat treguan se as në tremujorin e parë të këtij viti konsumi nuk u shërua plotësisht nga efektet e pandemisë së Covid-19. Konsumi final i popullatës për tre muajt e parë të vitit u rrit me më pak se 1.5% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ishte lehtësisht më e ulët krahasuar me rritjen, me bazë vjetore, të tremujorit të fundit 2020.
Marrë nga Monitor.al