Zv/presidenti i Turqisë, Fuat Oktay, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të hapë rrugët e migrimit të ligjshëm për sirianët në bazë të parimit të ndarjes së barrës dhe përgjegjësisë për refugjatët sirianë.
Zv/presidenti Oktay po ashtu bëri thirrje që vendet anëtare të BE-së të aktivizojnë mekanizmin vullnetar të pranimit humanitar me angazhime konkrete dhe të rrisin kuotat e vendosjes për refugjatët.
Komentet e tij erdhën në një ceremoni nënshkrimi të Marrëveshjes së Nën-financimit të bankës turke ‘?lbank’ dhe qeverisë lokale në kuadër të programit të ndihmës financiare të BE-së për refugjatët në Turqi në Kongresin ATO, një qendër ndërkombëtare e konventave dhe ekspozitave në Ankara.
Oktay tha se gati 4 milionë vëllezër dhe motra siriane, duke ikur nga terrori dhe persekutimi në Siri, janë strehuar në Turqi. Ai po ashtu theksoi se Turqia aktualisht ofron ndihmë dhe mbrojtje për 9 milionë viktima, përfshirë personat e zhvendosur brenda kufijve të Sirisë.
“Ne me trishtim po shohim qëndrimet ndaj emigrantëve në Egje dhe Mesdhe dhe se si njerëzimi nuk ka arritur t’u sigurojë mbështetje humanitare atyre”, theksoi ai.
Oktay akuzoi BE-në dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për vëzhgimin e tragjedisë njerëzore dhe mos ndërmarrjen e hapave të nevojshme.
Turqia ka qenë një pikë e rëndësishme tranziti për azilkërkuesit që synojnë të kalojnë në Evropë për të filluar një jetë të re, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.
Siria është shkatërruar nga një luftë civile që nga fillimi i vitit 2011 kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestuesit pro-demokracisë.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë janë zhvendosur./AA