Babai i Caroline, 20-vjeçares britanike që u vra nga bashkëshorti i saj në sy të foshnjës së vogël në Glyka Nera ka hedhur dyshimet e tij se Babis Anagnostopulos mund të ketë qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme. Ai tregoi po ashtu edhe jetën e re të mbesës së tij pranë gjyshërve të saj.
David Crouch, tha se ka synim që të rrisë mbesën e tij që të duket “si nëna e saj”. “Lydia është mirë dhe e lumtur, është me gjyshen e saj. Të gjithë e duan. Është me Susan, ajo e merr dhe e nxjerr për shëtitje të shkurtra. Gjithçka që dua të bëj është të kujdesem për mbesën time dhe ta rris atë që të duket si nëna e saj,”, pohoi ai.
Mes të tjerash ai ka pohuar se kërkon që të bëhet drejtësi për vrasjen e vajzës së tij.
“Vajza ime ishte shumë e zgjuar dhe shumë e sinqertë. Ajo nuk do të mbështeste asgjë të paligjshme. Nëse ajo do të mësonte diçka do të kishte thënë. Dhe mendoj se mbase kjo ishte ajo që synonte të bënte. Fatkeqësisht, u vra ndërsa ishte duke fjetur,” -ka rrëfyer ai.
Ai vazhdon më tej duke thënë se piloti ishte shumë frikacak, sa që e vrau atë duke fjetur. Gjithashtu David ka thënë se veprimet e Babisit tregojnë që ai ishte shumë i vetëdijshëm dhe e dinte se çfarë po bënte. “Ajo që e bën më keq, për mendimin tim, është se ai ishte kaq frikacak. E vrau ndërsa ajo ishte duke fjetur. Ai vrau një person dhe më herët kishte hequr kartat e kujtesës nga kamerat e sigurisë, kështu që e dinte se çfarë do të bënte. Priti derisa ajo ra në gjumë dhe pastaj e vrau,” përfundoi ai.