Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka akorduar kete te diel Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka vdekur në vitin 2015 nga kanceri në tru.
Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e dhënies së Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, ka deklaruar se me ndarjen e kësaj medaljeje, Kosova njeh kontributin që ai dha për Kosovën.
“Sa i përket Beau, trashëgimi e tij vazhdon të jetojë. Veprimet e tij vazhdojnë të na inspirojnë sot në Kosovë dhe të atyre njerëzve që ua ndryshoi jetën në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Osmani.
Sipas Osmanit, në të gjallë, Beau Biden, me punën e tij preku jetë njerëzish dhe bëri ndryshime.
“Siç është edhe shprehja ‘njerëzit e mirë janë si qiriu. Ata digjen që t’iu bëjnë dritë të tjerëve’. Dhe njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e kuptuar. Besoj se njeriu i mirë matet me gjatësinë e ndikimit që lënë pas. Kjo ka të bëjë me njerëzit që inspironin gjatë jetës tuaj, zemrat që prekni dhe jetët që ndryshoni pa e kuptuar. I ndjeri Beau Biden ishte një njeri i tillë. Ai është qiriu i djegur që ka dhënë dritë për shumë njerëz”, tha Osmani.
Presidentja Osmani tha se ndihmën që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës sa i përket lirisë dhe “të drejtës për të ekzistuar”, kalon përtej çdo partneriteti që mund të shihet në mbarë botën.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes një video-mesazhi ka thënë se Kosova “është në zemrat e gjithë familjes Biden” dhe e ka falënderuar Kosovën për medaljen, të cilën e ka ndarë për të birin e tij të ndjerë.
“Ne thjesht duam të themi se kjo është e pabesueshme, dhe unë dua ta falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh, është një nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau dhe babait të tij. Punën në Kosovë, Beau e kishte të përzemërt, ai u dashurua me vendin. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau u dashurua”, ka thënë presidenti Biden përmes video-mesazhit.