Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend Aktin Normativ për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit 2021. Sipas presidentit alokimi i fondit shtesë 900 mln lekë për Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, është në shkelje të Gjykatës Kushtetuese.
Meta shprehet se ky akt normativ shkel parimin e shtetit të së drejtës duke i kërkuar qeverisë të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën për miratimin e tij.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar ka hyrë në fuqi, ndaj Akti Normativ bie hapur ndesh me të. Prioriteti i parë dhe themeltar për vitin 2021 duhet të ishte përballimi i pasojave të COVID-19, por Qeveria në 22 qershor 2021 në mënyrë antikushtuese vendos të akordojë fond për Bashkinë Tiranë për ndërtimin e Teatrit dhe për blerje dronësh!
Qeveria të japë mbështetje edhe më të madhe buxhetore për përballimin e nevojave për vaksinimin e popullsisë dhe pasojave që pandemia i ka shkaktuar ekonomisë së vendit!është tregues i programimit të dobët financiar”, thuhet në argumentin e presidentit Ilir Meta.