Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për dhënien e ndihmës financiare për të mbuluar shpenzimet e bizneseve prodhuese që zbatojnë protokollet e sigurisë të pandemisë.
Përfitues të ndihmës financiare, bazuar te numri i të punësuarve do të jenë ndërmarrjet prodhuese të tekstileve dhe këpucëve, përpunuesit e peshkut, qumështit, mishit, birrës, të çimentos, farmaceutikës etj (shih më poshtë listën e plotë të botuar në Fletoren Zyrtare për ndërmarrjet përfituese.)
Ndihma financiare për ndërmarrjet prodhuese mbulon periudhën nëntor–dhjetor 2020 dhe përfitohet vetëm një herë si shumë e vetme. Vendimi përcakton se këto ndërmarrje përfitojnë si ndihmë financiare një shumë fikse, në masën 4, 000 lekë për çdo punonjës, e llogaritur për dymujorin nëntor–dhjetor, respektivisht 2,000 lekë për çdo muaj. Efektet financiare me vlerë 1,8 mln lekë do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
Skema mbështetëse do të llogaritet e jepet për ndërmarrjet, të punësuarit e të cilave figurojnë në listëpagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin qershor 2020, të dorëzuara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ato ndërmarrja për çdo të punësuar në më tepër se një listëpagesë përfitojnë vetëm një herë ndihmën financiare, sipas këtij vendimi. Në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para. Ndërmarrja që nuk aplikon e para, nuk e përfiton ndihmën financiare vetëm për të punësuarin që është në më tepër se në një listëpagesë. Nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar pa pagesë listëpagesë.
Nuk përfitojnë nga ndihma financiare ndërmarrjet, të cilat nuk rezultojnë aktive në datën e hyrjes në fuqi të vendimit e që nuk kanë dorëzuar deklaratë vjetore për vitin 2019 (tatim i fitimit ose tatim i thjeshtuar mbi fitimin).
Si kryhet aplikimi
Aplikimi për përfitimin e ndihmës financiare kryhet nga ana e ndërmarrjeve në sistemim e-filling, duke deklaruar: a) NIPT-in e përfituesit; b) numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti; c) bankën, ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; ç) IBAN-in e llogarisë bankare.
-Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore, duke përdorur analizën e riskut, brenda 10 ditëve nga data e aplikimit, mund të kryejnë edhe verifikime të ndërmarrjeve përfituese, nëse përmbushen kriteret. Lista e ndërmarrjeve përfituese publikohet në ëebsite-in e administratës tatimore.
-Në zbatim të legjislacionit ekzistues, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i paraqet Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit (strukturës përgjegjëse për thesarin në degë) dokumentacionin përkatës për kryerjen e pagesave të detajuara, sipas bankave të nivelit të dytë, të cilat i informon për listën/listat e ndërmarrjeve përfituese të skemës mbështetëse, me të dhënat e mëposhtme: a) NIPT-in e përfituesit; b) numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti; c) bankën, ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; ç) IBAN-in e llogarisë bankare.
-Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, në zbatim të procedurave ekzistuese, menjëherë, me paraqitjen e urdhër shpenzimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kryen pagesat në total për çdo bankë të nivelit të dytë dhe kjo e fundit, bazuar në listën përmbledhëse të mësipërme të paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kryen transfertat në llogaritë bankare të ndërmarrjeve përfituese sipas këtij vendimi.
Marrë nga Monitor.al