41% e kredisë në valutë të huaj e dhënë nga sektori bankar shqiptar është e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në vitin e fundit ky tregues nuk ka ndryshuar shumë, megjithatë, në afat më të gjatë vërehet një tendencë në rënie të lehtë.
Në mesin e këtij viti, raporti i kredive në valutë të pambrojtura për rrezikun e kursit të këmbimit ndaj totalit të kredive në valutë ishte 41.3%, po aq sa një vit më parë. Por, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitet paraardhës, 2016-2019, ky tregues paraqitet në nivele më të ulëta.
Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit janë ato kredi ku të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e përfitimit të kredisë. Peshën më të madhe të portofolit e zënë kreditë e pambrojtura në monedhën euro, me pothuajse 90% të totalit, ndërsa pjesa e mbetur prej 10% është në dollar amerikanë.
Pesha e kredive të pambrojtura në valutë përgjithësisht ka ndjekur një trajektore rënëse deri në tremujorin e parë të vitit 2021, kur treguesi u rrit në vlerën 42.9%, ndikuar nga zgjerimi i kredisë së pambrojtur në euro me 7.6% në terma vjetorë. Por, kjo rritje u frenua ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, duke bërë që treguesi të kthehet në nivele të ngjashme me një vit më parë.
Në nivel bankash të veçanta, Banka e Shqipërisë konstatohen se ky tregues ka ardhur në rënie për shumicën e tyre. Vlera maksimale është ulur me 4.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më pare dhe shumica e bankave kanë një vlerë të treguesit nën mesataren e sektorit. Megjithatë, ka banka të veçanta ku kreditë e pambrojtura ndaj kursit përbëjnë pothuajse 89% të kredisë në valutë.
Në vitet e fundit po shënohet një rënie e kreditimit të valutë të huaj në përgjithësi. Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti pesha e kredisë në valutë të huaj kundrejt portofolit total të kredisë zbriti në 49.9%, nga 52.7% një vit më parë dhe 53.6% në mesin e vitit 2019. Bankat po japin më shumë kredi në monedhën vendase, sidomos në segmentin e individëve, që zakonisht i kanë të ardhurat në lekë. Kjo tendencë po ndikohet edhe nga rënia e normave të interesit për kreditë në lekë, që janë pranë niveleve minimale historike.
Në vitin 2018, Banka e Shqipërisë miratoi një paketë masash që synonin rritjen e përdorimit të monedhës vendase në sektorin financiar. Këto masa, në thelb, synonin të ulnin kostot e huadhënies në lekë dhe të rritnin ato të kreditimit në valutë.
Rezerva e detyrueshme për lekun u ul nga 10% në intervalin mes 5% (për detyrimet në lekë me afat fillestar më të gjatë se 12 muaj deri në 2 vjet) dhe 7.5% (për detyrimet në lekë me afat maturimi jo më të gjatë se 12 muaj). Për valutat e huaja, rezerva e detyrueshme u rrit nga 10% në intervalin mes 12.5% (për detyrimet në valutë kur këto zënë nën 50% të totalit) dhe 20% (për pjesën e detyrimeve në valutë mbi 50% të totalit). Gjithashtu, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë kërkesën minimale rregullative për aktivet likuide në valutë nga 15% në nivelin 20% të detyrimeve afatshkurtra.
Në fakt, masat e para që synonin të frenonin kreditimin e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit u morën që në vitin 2011, kur Banka e Shqipërisë vendosi që huatë e kësja kategorie, nuk duhet të kapërcejnë nivelin 400% të vlerës së kapitalit rregullator të bankës. Çdo vlerë mbi këtë nivel zbritet nga vlera e kapitalit rregullator. Ndërsa, në vitin 2013 u vendos që huatë në valutë ndaj huamarrësve të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit të ponderohen me koeficient më të lartë rreziku (50% më të lartë), për qëllime të llogaritjes së treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit të bankës.
Marrë nga Monitor.al