30% e bankomateve (ATM) të sistemit bankar mundësojnë edhe shërbimin e depozitimit të parasë fizike.
Të dhënat e bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i këtyre pajisjeve në vitet e fundit po rritet me ritme të shpejta.
Në mesin e këtij viti, numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash arriti në 227. Numri i tyre u rrit veçanërisht pasi vendi u prek nga pandemia. Deri në fund të vitit 2019, numri i ATM-ve me këtë funksion ishte vetëm 171 dhe prej atëherë është rritur me 33%.
Rritja e numrit të ATM-ve që ofrojnë shërbimin po ndikon edhe në përdorimin më të madh të tyre nga shqiptarët. Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-qershor 2021 janë kryer mesatarisht 26 mijë depozitime cash në ATM çdo muaj. Krahasuar me vitin 2020, numri mesatar mujor i veprimeve është rritur me 69%.
Shtimi i ATM-ve me funksion depozitimin e parasë mund të jetë një zhvillim i rëndësishëm për lehtësimin e mëtejshëm të shërbimeve bankare. Pagesat cash në arkë janë një nga shërbimet e pakta bankare rutinë që deri para pak vitesh kryheshin pothuajse ekzluzivisht në sportele, duke qenë një nga arsyet kryesor i fluksit të klientëve në degët e bankave. Kjo problematikë u bë më e prekshme se kurrë në fazën e parë të pandemisë, edhe për shkak të kufizimit të orareve të punës dhe operacioneve me staf të reduktuar.
Automatizimi i këtij shërbimi nëpërmjet ATM-ve do të ndikonte ndjeshëm në uljen e flukseve, pakësimin e radhëve dhe përdorimin e degëve të bankave vetëm për ato raste ku ofrimi i shërbimit nga stafi është i domosdoshëm. Ashtu siç prej vitesh tërheqja e parave të nevojshme për shpenzimet konsumatore bëhet prej ATM-ve, tani teknologjia mundëson të njëjtin komoditet edhe për depozitimin e tyre.
Në mesin e këtij vitit, sektori bankar shqiptar ofronte shërbim nëpërmjet 754 ATM-ve aktive, në rritje me 2% krahasuar me fundin e vitit 2020 dhe me pothuajse 7% krahasuar me fundin e vitit 2019. Numri i tyre kishte rënë vazhdimisht në periudhën 2015-2019, sidomos për shkak të uljes së numrit të degëve, por edhe për shkak të pakësimit të numrit të përgjithshëm të bankave tregtare, nga 16 në 12. Duke filluar nga viti 2020, edhe nën shtysën e pandemisë, bankat shtuan numrin e ATM-ve (kryesisht të vendosura në mjedise jashtë degëve), me qëllim lehtësimin e flukseve të operacioneve në sportele.
Paralelisht, shtimi i ATM-ve po shoqërohet edhe me përditësim të teknologjisë dhe të shërbimeve të ofruara prej tyre. Me sa duket, rritja e numrit të tyre është ende e nevojshme për të plotësuar nevojat e një shoqërie me përdorim të lartë të parasë cash. Këtë vit rreth 69% e veprimeve me karta bankare ishin tërheqje apo depozitime të parasë cash, ndërsa vetëm 27% ishin pagesa me karta bankare në pikat elektronike të shitjes. Përqindja e veprimeve me cash-in ka pësuar një rënie të lehtë nga niveli 71% i vitit të kaluar, por sidoqoftë ngelet dukshëm mbizotërues.
Marrë nga Monitor.al