Nga sot kanë hyrë në fuqi masat e reja shtrënguese për shkak të situatës së Covid-9 në Kosovë, të cilat do të qëndrojnë deri më 13 shtator. Dhjetëra shtetas të Shqipërisë janë kthyer nga pala kosovare, pasi nuk kishin test dhe certifikatë vaksinimi, ndërkohë që në Morinë ka një fluks të hyrjeve të kosovarëve për në Shqipëri pa dëshminë e asnjë dokumenti.
Sipas masave të reja të gjithë personat e pa vaksinuar që do të hyjnë në Kosove edhe përmes pikave të kalimit kufitar me Shqipërinë pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigjen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë. Por, testi nuk do të jetë i nevojshëm në rast se qytetari ka dëshmi të vaksinimit të plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19.
Të njëjtat masa vlejnë edhe për shtetasit e Shqipërisë, që duan të futen në Kosovë. Autoritetet në Kosovë raportuan të dielën bilancin më tragjik, 36 viktima nga koronavirusi. Ky është numri më i lartë i viktimave, që prej fillimit të pandemisë në mars të vitit të kaluar.