Në Kosovë nga dita e djeshme kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid. Me këto masa shumicës së bizneseve i është shkurtuar orari, derisa disave i është mbyllur veprimtaria komplet. Si shkak i tyre po paralajmërohet të pësojë goditje ekonomia, buxheti i shtetit dhe vendet e punës.
Masat e reja të miratuara nga Qeveria e që kanë hyrë në fuqi nga dita e djeshme, po paralajmërohet se do t’i shkaktojnë tri goditje ekonomisë së Kosovës.
Njohës i ekonomisë, Safet Gërxhaliu po thotë se me hyrjen në fuqi të masave të reja do të ketë tkurrje të vendeve të punës si dhe goditje për buxhetin e konsoliduar të vendit.
“Do të jenë tri goditje të cilat do të pësojë ekonomia kosovare, në rend të parë do të ketë rënie të qarkullimit në rend të dytë do të ketë edhe mundësi të mbylljes apo të tkurrjes së vendeve të punës dhe në këtë drejtim ajo që është si shtyllë e tretë do të ketë goditje në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, prandaj besoj që është koha për një partneritet dhe për një mbështetje të sektorit privat dhe definitivisht vetëm me partneritet rimëkëmbja do të përshpejtohet”.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës kërkon një mobilizim në procesin e vaksinimit, derisa ka kërkuar që vendi të mësojë nga përvoja vendeve të rajonit pasi që kanë bërë më shumë në kohën e mbylljes.
“Kemi një rritje të numrit të infektuarve nga pandemia Covid-19 dhe në këtë drejtim duhet të mbështeten masat institucionale që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik, sepse prioritet i prioriteteve duhet të jetë qytetari dhe interesat e qytetarëve në këtë drejtim, prandaj duhet të kemi qasje duale në aspektin interno përveç mbylljes, komiteti i biznesit dhe në këtë drejtim duhet të mësojmë nga përvoja e vendeve të rajonit që kanë bërë shumë në kohën e mbylljes sepse rimëkëmbja kërkon partneritet për fat të keq komiteti i bizneset vendor nuk e ka pasur këtë komoditet të shijojë dorën e zgjatur të shtetit”.
Me vendimin e ri të Qeverisë për ndalimin e dasmave dhe ahengjeve në tregun e Kosovës për vetëm dy javë pritet të qarkullojnë rreth 400 milionë euro më pak.
Drejtuesit e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit vlerësojnë se në rast se nuk do të kishte një vendim të tillë qarkullimi do të shkonte në mbi 1 miliard euro.
Kryetari i OHT-së, Hysen Sogojeva thotë se ky vendim ka lënë pa realizuar rreth 40 për qind të dasmave të planifikuara, teksa shton se dëmi, i cili arrin vlerën prej rreth 400 milionë euro, është jashtëzakonisht i madh.
“Nëse e marrim në tërësi, prej një mesatareje prej afër 400 sallash të dasmave, nëse këto kishin për të funksionuar, qarkullimi kishte me qenë mbi 1 miliard euro. Dhe, nëse themi se 60-70 për qind është kryer, pjesa tjetër është anuluar. Kështu që, na del një shifër bukur e madhe e mjeteve që kanë me u humbë. Por, tu e pa gjendjen qysh e kemi, në parim e përkrahim, me kusht që ana tjetër e ndihmave për të ekzistuar”, thotë Sogojeva.
Përkundër humbjeve të mëdha, ai shprehet se kanë pranuar vendimin e Qeverisë, ani pse paraprakisht ishin marrë vesh që të mos ketë ndalime të tilla.
Megjithëkëtë, Sogojeva shprehet kundër mbylljes totale, duke thënë se nuk do ta pranojnë në asnjë mënyrë.
“Por, qysh tani po ua bëjmë me dije, mbyllje totale nuk lejojnë. Le të gjejnë mekanizma kush do, si të do. Në këtë rast, e vetmja gjë që mundet të na shpëtojë është vaksinimi. Apeloj të gjithë qytetarët e Kosovës që vaksinimi të kryhet. Mekanizmat e qeverisë dhe mekanizmat tjerë le të gjinden, le të hyjnë në lëvizje për ta vaksinuar popullin, ndërsa mbyllje totale po e them edhe njëherë, nuk lejojmë”.
Kurse, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një deklarim për media ka thënë se faturën e pandemisë po e paguajnë punëtorët e këtij sektori.
Azemi ka theksuar se tashmë situata po përkeqësohet dhe me zor janë duke i ndalur punëtorët që të mos protestojnë.
“Ka edhe punëtorë të rrezikuar që punojnë nëpër qendrat mjekësore, dhe nuk ka punëtorë teknik që punon dhe nuk e ka kaluar fazën e Covidit andaj qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për ta, përveç një shtese qesharake. Andaj ne kemi dal me një kërkesë që për çdo muaj përderisa të jemi në këtë gjendje për këta punëtorë duhet stimuluar me nga 150 euro sepse janë të parët që ballafaqohen me pacientë. Ne e dimë se në çfarë gjendje jemi dhe e dimë se si po mundohemi ta ndalim protestën e këtyre punëtorëve për të cilët klasa politike nuk po i trajton si duhet”.
Mes tjerash Azemi ka treguar se nga varianti i ri Delta është krijuar një situatë kaotike dhe disa nga punëtorët e sektorit privat tashmë janë njoftuar që të mos shkojnë në punë, për çka edhe nuk do të paguhen.
“Është krijuar një situatë kaotike e një situatë frike për të cilën nuk e dimë se çfarë do ndodh deri nesër. Ne edhe ashtu kemi qenë të rënduar nga pjesa e parë e pandemisë, Tash punëtorët kanë filluar të na njoftojnë përmes telefonatave se pronarët e kompanive i kanë njoftuar që deri në njoftimin tjetër të mos vinë në punë dhe nuk do të paguhen këta punëtorë dhe mirëqenia e tyre do të përkeqësohet”.
Ai thotë se në momentin e parë që do lirohen masat do të kërkojnë të drejtat që ju takojnë.
Edhe rrjeti i Shitësve me Pakicë ka reaguar pasi thotë se vazhdon të mos jetë i përfshirë në konsultimet dhe vendimet e Qeverisë mbi masat anti-COVID tash e disa muaj.
Në reagimin e Rrjetit të Shitësve me Pakicë thuhet se komunikimi përmes mediave dhe rrjeteve sociale mbetet forma e vetme e shprehjes së qëndrimit të tyre.
“Jemi të vetëdijshëm për situatën e rënduar shëndetësore tek qytetarët dhe gjendjen e spitaleve në terren, por që besojmë fuqimisht që mbyllja e cilitdo sektor do ta vështirësojë edhe më shumë shëndetin ekonomik të sektorit privat e që padyshim në afatgjatë pasojat do t’i vërejmë në ekonominë e vendit”, thuhet në reagim.
Më tej thuhet se “duhet kuptuar dhe pranuar që në këtë situatë kemi ardhur si rezultat i dështimit të vetëdijesimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës mbi rëndësinë e vaksinimit, vonesat në sigurimin e vaksinës nga Qeveria e Kosovës, dhe problemet në menaxhimin dhe shpërndarjen e tyre. Fokusi kryesor duhet të jetë në këto pikat e dobëta e jo në mbyllje ad-hoc pa plan dhe në kurriz të sektorit privat”.
Rrjeti i Shitësve me Pakicë thotë se për çfarëdo mase shtesë duhet të ketë siguri dhe përkrahje të plotë financiare. “E kjo me sa u kuptua nuk po diskutohet fare! Përderisa masat e përfolura po vazhdojnë të bien mbi sektorin privat kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të ofroj bashkëpunim dhe mbështetje financiare për të ruajtur dhe garantuar shëndetin publik dhe ekonomik të vendit tonë”.
Qeveria e Kosovës në kuadër të masave të reja kufizuese ndaj pandemisë COVID-19 ka marr vendim që të kufizoj punën e objekteve hoteliere, restoranteve dhe kafiterive.
Gastronomia do të punojë deri në ora 21:30 dhe në ambiente të hapura.
“Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30”, thuhet në vendim.
Ndërsa, muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.
Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës. Po ashtu, lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.
Në kuadër të qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, ndalohet puna apo përdorimi i këndeve të lojërave për fëmijë.
Gjithashtu është ndaluar shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
Në mesin e masave të reja është kthyer edhe ora policore për të gjithë qytetarët që fillon prej orës 22:00 deri në ora 05:00.
Marrë nga Monitor.al