MAQEDONI E VERIUT-Një shpërthim brenda spitalit COVID ka shkaktuar tragjedi në Tetovë! Deri më tani raportohet zyrtarisht se bëhet fjalë për 14 viktima. “Free Press”, raporton se nuk ka personel mjekësor midis viktimave që u shpëtuan nga zjarri, dhe një duzinë njerëzish u shpëtuan të gjallë nga spitali që digjej. Zjarri u aktivizua rreth orës 21:00 të mbrëmjes së kaluar, për t’u shuar vetëm pas më shumë se një ore, kohë kjo që ishte mjaftueshëm për të marrë jetën e personave që ishin të shtruar aty.
Pamje e publikuara nga mediat dhe dëshmitë e zjarrfikësve kanë treguar tmerrin që përfshiu këtë qendër spitalore një natë më parë. Në Tetovë kanë shkuar kryeministri Zoran Zaev, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski si dhe funksionarë tjerë qeveritarë. Përveç tyre ndodhen edhe dhjetëra qytetarë të cilët janë në panik për të afërmit që kanë pasur të shtruar në këtë spital modulor, pasi viktimat nuk janë identifikuar akoma.
Të gjithë të mbijetuarit, përfshirë edhe 9 të lënduar rëndë nga zjarri, janë nisur me urgjencë për në Shkup, ku edhe po marrin trajtimin e duhur mjekësor. Deri tani nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit, por dihet se gjithçka ka nisur nga brenda spitalit. Këtë e ka konfirmuar edhe numri dy i zjarrfikësve të Tetovës, por shtoi se hetimet do të zbulojnë gjithçka.
Spitali modular ishte ndërtuar vetëm pak kohë më parë për trajtimin e të sëmurëve me COVID dhe materiali me të cilin ishte ndërtur u përfshi shumë lehtë nga flakët, ndërkohë që kishte dhe probleme të tjera në strukturë, për të cilën firma ndërtuese ishte vënë në dijeni. Por nuk veproi. Duke e lënë kështu funksional spitalin për të infektuarit nga pandemia. Nga ana tjetër, “Free Press” shkruan se nuk bëhet fjalë për një shpërthim të bombolave të oksigjenit, sepse në atë pjesë nuk ka cilindra, por vetëm një furnizim me oksigjen.
E njëjta medie shkruan se javën e kaluar është njoftuar dy herë policia për probleme në këtë spital dhe se zona është mabjtur vazhdimisht nën kontrolle të policisë. Prokuroria Themelore Publike në Tetovë po kryen një inspektim. Inspektimi përfshin tre prokurorë publikë nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë, të cilëve iu bashkuan edhe dy prokurorë të tjerë publik nga Prokuroria Publike e Shkupit. Ekipi prej pesë prokurorësh, së bashku me ekipet e institucioneve kompetente, po ndërmarrin të gjitha veprimet në mënyrë që të përcaktojnë shkaqet e zjarrit.
Tragjedia ka sjellë edhe reagime të shumta si nga politika lokale e ajo shqiptare. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe kryeopozitari Lulzim Basha kanë shprehur ngushëllimet.