Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, do të paraqitet sërish sot para trupit gjykues në Hagë, nga ora 09:30.
Në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021. Gjatë kësaj seance, Mustafa u deklarua sërish se është i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.
Ai madje e quajti Gjykatën Speciale zyrë e “Gestapos” duke iu referuar shërbimit sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
“Nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyrë e Gestapos”, deklaroi Mustafa.
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.
Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.