Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë për të martën në orën 10 të mëngjesit, raportojnë mediat shumë të afërta me kreun e shtetit serb.
Sipas, “Novostit”, temë kryesore e mbledhjes do të jenë ngjarjet në Kosovë, theksuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit për targat, transmeton Gazeta Express.
Mëngjesin e sotëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje.
Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës janë pozicionuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës.
Asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës, nuk mund të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.
Vendimi për këtë është nënshkruar sot, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ndërkaq tashmë kanë nisur të hyjnë veturat e para nga Serbia në Kosovës, të cilave nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.
Në pikën kufitare në Jarinje, disa serbë kanë bllokuar rrugën dhe po protestojnë.