Bashkimi Europian po shprehet i gatshëm që në çdo kohë të ndodhë një takim i radhës mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, pas acarimit të situatës mes të dyja vendeve, që kur kryeministri Albin Kurti, vendosi reciprocitet në targat serbe, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur, Peter Stano, zyrtar i lartë për informim nga Bashkimi Europian, kur është pyetur nëse BE pritet të thërras takim urgjent mes dy palëve të dialogut.
”Ne i nxisim të dyja palët që të përdorin dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat. Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë’’, është shprehur ai.
Gjithashtu, Stano ka thënë se nga Bashkimi Europian, janë duke punuar në mënyrë aktive për të adresuar situatën e krijuar në të gjitha nivelet.
Ai përmendi madje që Josep Borrell ka pasur bisedë telefonike mbrëmë me kryeministrin kosovar Albin Kurtin por edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
”Përfaqësuesi i Lartë Borrell ishte në kontakt me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti mbrëmë, dhe Përfaqësuesi Special i BE -së Miroslav Laj?ák është ende në Beograd duke vazhduar punën me të dyja palët”.
”Ne thamë tashmë dje se liria e lëvizjes është një gur themeli i Bashkimit Evropian. Si e tillë, ne presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon”.
Zyrtari i lartë thotë se Bashkimi Europian po vazhdon të monitorojë vazhdimisht situatën në terren.
”Ne u bëjnë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë”, theksohet tutje në përgjigjiet e Stanos për Klankosova.tv.