Enti Rregullator i Ujit vlerëson se vendosja e matësve inteligjentë të ujit nga ana e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve do të ulte dukshëm nënfaturimet si dhe do të eliminonte gabimet që bëhen apo problemet e funksionimit të matësve të thjeshtë.
Një raportin e Bilancit i cili u miratua vetëm pak javë më parë Enti thekson se zbatimi i kësaj nisme ka kosto të lartë dhe se mbështetja duhet të jepet nga qeverisja vendore apo nga donatorët.
I njëjti raport vlerëson se faturuesit korruptohen duke mos faturuar sasinë reale të ujit.
“Nën faturimi, si element i rëndësishëm në humbjet e dukshme, shkaktohet nga korruptimi i faturuesve të cilët nuk faturojnë sasinë reale të matur të ujit në konsumatorët me matje, si edhe prania e lidhjeve dyfishe ose by-pass i matësit. Ky fakt konstatohet kur vërehet normë mesatare konsumi në konsumatorët me matje nën vlerat historike apo mesatare të pritshme në ujësjellës të ngjashëm. Si normë mesatare vjetore konsumi mund të përdoret norma prej 80 litra/ditë, banor, bazuar kjo në eksperiencën e disa prej shoqërive me nivel 100% të matjes për kategorinë e konsumatorëve, si Korça dhe Pogradeci” thuhet në raport.
Pikërisht në këtë pikë vjen edhe propozimi për matësit inteligjentë ku ERRU e sheh si një mënyrë për të eliminuar fenomenin nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve.
“Për eliminimin e këtij fenomeni shoqëritë duhet të verifikojnë faturat e konsumatorëve me matje në vlera mjaft të ulëta që si shkak kanë probleme të leximit nga faturistët, probleme funksionimi i matësit ose by-pas i tij, apo lidhje dyfishe furnizimi me ujë. Zgjidhja më e mirë për eliminimin e problemit është pajisja me matësa inteligjent e konsumatorëve, investim ky me kosto të lartë që kërkon mbështetjen donatorëve apo të Qeverisë Vendore, për disa nga shoqëritë UK” vlerëson ERRIU.
Kjo e fundit nënvizon se nën faturimet mund të ndodhin tek konsumatorët me faturim aforfe kryesisht ato të shtëpive private apo në zonat rurale që realizojnë mbi konsum të ujit për ujitje.
“Shoqëritë duhet të vlerësojnë këto raste dhe ti pajisin urgjentisht këta konsumatorë me matësa. Subjekt verifikimi duhet të jetë dhe numri i pjesëtarëve të familjes, për këtë shoqëritë duhet t’u kërkojnë klientëve të cilët faturohen aforfe të paraqesin një certifikatë të gjendjes familjare që vërteton numrin e saktë të tyre si subjekt i kontratës me shoqërinë UK” thuhet në dokument.
Kjo nuk është hera e parë që matësit inteligjentë lakohen si një zgjidhje alternative për të përmirësuar situatën në kompanitë publike. Vetëm pak vite më parë matësit inteligjentë u vunë në qendër të vëmendjes si një alternativë për të ulur humbjet dhe kostot në sektorin e energjisë.
Marrë nga Monitor.al