Serbët vijojnë të mbajnë të bllokuara dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Madje, përveç automjeteve të tonazhit të rëndë, kanë vendosur dhe zhavorr në rrugë duke pamundësuar kështu kalimin e makinave. Ata protestojnë masën reciproke të qeverisë së Prishtinës për targat.
Nga bllokimi po dëmtohen kryesisht udhëtarët që hyjnë nga Serbia për në veri të Kosovës, të cilët detyrohen të ecin në këmbë për disa kilometra për shkak të situatës së krijuar.
Prezenca e policisë vijon të jetë tepër e lartë për të garantuar sigurinë. Autoritete në Prishtinë thonë se nuk është regjistruar asnjë incident. Megjithatë, mediat e Beogradit pretendojnë të kundërtën. Televizioni publik serb, RTS, shkruan se në Novobërdë të Kosovës janë vendosur mbishkrime të tilla si “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave Serbe”.