Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar që nga 1 tetori i këtij viti, do të hiqen pagesat për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master, në universitetet publike në Kosovë. Kurti theksoi se ky vendim vlen për studentët e vitit akademik 2021/2022. Kryeministri tha se lehtësime do të ketë edhe për studentët e Doktoratës.
“Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera e sidomos të atyre të rajonit që do të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë”, ka thënë Kurti.
Zëvendës ministër i arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci në lidhje ‘Skype’ me moderatoren Klaudja Karabolli foli më tepër mbi këtë hap të ri të ndërmarrë nga qeveria e Kosovës.
” Qëllimi është që studentët të jenë të barabartë. Sigurisht që do të ketë edhe politika të tjera por nuk lidhen me tarifat studentore, por me jetën në konvikte apo shpenzimet si edhe paketat për studentët e privatit. Kosto personale nuk e ka lehtësuar, por në master e ka lehtësuar më shumë, por është ndryshe një mesazh se të gjithë janë të barabartë. Kjo vlen si për studentët e Kosovës edhe jashtë saj. Të gjitha programet në universitet janë të akredituar. Si rregull diploma nga universitetet tona njihet në vendet e tjera. Në 2018, Agjensia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga organizatat e BE-së për akreditimet e degëve për sigurinë, kjo na ka vështirësuar. Por për pak vite çdo gjë do të jetë në rregull.”
“Sfida e vetme mbetet mundësia e kërkimit shkencor, si dhe financimi personal nga personat që e drejtojnë apo studentët. Pra nuk ka politika për rregullimin e kësaj çështje aktualisht, mbi fondet që e paguajnë këtë. Por besoj se do të kemi marrëveshje të mira për fondet që do të paguajnë këto punë kërkimore.”