Industria e karburanteve fosile përfiton nga subvencionet rreth 11 milionë dollarë çdo minutë, sipas analizës së Fondit Monetar Ndërkombëtar.
FMN zbuloi se prodhimi dhe djegia e qymyrit, naftës dhe gazit u subvencionua me 5.9 trilionë dollarë në vitin 2020, ku asnjë shtet nuk i vendosi çmimin që i takon karburanteve sa duhet për të pasqyruar furnizimin e tyre të plotë dhe kostot mjedisore. Ekspertët thanë se subvencionet ishin “duke i shtuar benzinë zjarrit” të krizës klimatike, në një kohë kur reduktimet e shpejta të emetimeve të karbonit janë urgjentisht të nevojshme.
Subvencionet që ulën çmimet e karburantit përbënin 8% të totalit dhe zbritjet e taksave 6% të tjera. Faktorët më të mëdhenj ishin dështimi për t’i bërë ndotësit të paguajnë për vdekjet dhe shëndetin e dobët të shkaktuar nga ndotja e ajrit (42%) dhe për valët e nxehtësisë dhe ndikimet e tjera të ngrohjes globale (29%).
Vendosja e çmimeve të karburanteve fosile që pasqyrojnë koston e tyre të vërtetë do të ulte emetimet globale të CO2 me mbi një të tretën, thanë analistët e FMN -së. Ky do të ishte një hap i madh drejt arritjes së objektivit të rënë dakord ndërkombëtarisht 1.5 gradë Celsius. Mbajtja e këtij objektivi brenda mundësive është një qëllim kryesor i samitit të OKB -së për klimën në nëntor.