Normat e interesit të kreditimit të individëve janë në rënie të mëtejshme këtë vit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tetë muajt e parë të vitit 2021 interesi mesatar i huave të reja në lekë për individët ra në 6.38%, nga 6.55% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e interesit mesatar të kredive është përcaktuar kryesisht nga produkti më i rëndësishëm, kredia për blerjen e banesave.
Banka e Shqipërisë raporton se norma mesatare e interesit për këtë produkt ka pësuar rënie në 3.41%, nga 3.69% që ishte mesatarja për tetëmujorin e vitit të kaluar. Kredia për blerjen e banesave është edhe produkti me peshën kryesore në portofolin e kredisë për individët, me 65% të vlerës totale. Kjo bën që pesha specifike e këtij produkti edhe në strukturën e normës mesatare të interesit të jetë më e lartë, duke dhënë edhe ndikimin përcaktues në rënien e vlerës mesatare.
Nga ana tjetër, produktet e kredisë konsumatore në lekë gjatë këtij viti kanë shënuar rritje të normave të interesit. Kredia për blerjen e mallrave të qëndrueshme në lekë është dhënë mesatarisht me një normë interesi 8.2%, nga 7.4% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. E njëjta gjë ka ndodhur me kredinë për mallra jo të qëndrueshme, ku interesi është rritur në 7.9%, nga 7.4% që kishte qenë një vit më parë. Për ovedraftet në lekë, interesi mesatar ka shënuar një rritje shumë të lehtë në 11.7%, nga 11.6% që kishte qenë për tetë muajt e parë të vitit të kaluar.
Një tendencë të ngjashme në rënie kanë ndjekur edhe interesat e kredisë për individë në monedhën euro. Norma mesatare e interesit për periudhën janar-gusht 2021 ishte 3.56%, nga 3.66% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas produkteve, edhe te kredia në euro vërëhet një tendencë e ngjashme me atë në lekë. Interesat e kredive për blerjen e banesave kanë pësuar rënie të mëtejshme, mesatarisht në nivelin 3.06%, nga 3.18% që kishin qenë një vit më parë.
Një rënie të lehtë ka pësuar edhe interesi mesatar në kredinë për blerjen e mallrave të qëndrueshme, ndërkohë interesat e kredisë për mallra jo të qëndrueshme dhe overdrafteve janë mesatarisht më të larta krahasuar me një vit më parë. Sidoqoftë, në monedhën euro kredia konsumatore ka një peshë shumë të vogël dhe shkon kryesisht për një pakicë huamarrësish që kanë të ardhura në këtë monedhë.
Në rënie të ndjeshme paraqitet madje edhe interesi mesatar i kredive në dollarë amerikanë, që për tetë muajt e parë të vitit ra pranë nivelit 6%, nga rreth 10% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, kredia në dollarë ka një peshë shumë të vogël në portofolin e kredisë, sidomos në segmentin e individëve.
Prej vitesh kreditimi i individëve po shfaq një ecuri në rritje të qëndrueshme, e nxitur edhe nga oferta e favorshme e sektorit bankar. Normat e ulëta të interesit janë padyshim një faktor nxitës, sidomos në vendimet për ndërmarrjen e investimeve të mëdha, siç janë blerjet e banesave. /E.Shehu
Burimi: Banka e Shqipërisë
Marrë nga Monitor.al