Një efektiv policie, E. J., 21 vjeç, është proceduar penalisht pasi rezulton të jetë përfshirë në sherrin e ndodhur mes një grupi të rinjsh një ditë më parë në Korçë. Sipas njoftimit të Shërbimeve për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, efektivi me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit Korçë, gjatë kohës që ka qenë jashtë shërbimit, është përfshirë në konflikt ku ka nxjerrë armën e shërbimit. Ai nuk ka deklaruar se është punonjës policie dhe as nuk ka bërë raportimin e ngjarjes. Efektivi 21-vjeçar akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërsa një 22-vjeçar me inicialet A.K., është proceduar për plagosjen e një të riu tjetër.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak datë 09.10.2021, i cili bën fjalë për një konflikt të ndodhur në lagjen nr. 17, Korçë, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) filluan procedimin penal për veprën “Plagosja e lehtë me dashje”, për shtetasin A. K., 22 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll dhe për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasin E. J., 21 vjeç, banues në Korçë (me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit Korçë).
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetasi A. K., gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjete të forta shtetasin E. Sh., 23 vjeç, banues në Korçë, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa punonjësi i policisë, E. J., duke qenë jashtë shërbimit, është përfshirë në këtë konflikt ku ka nxjerrë armën e shërbimit, pa u prezantuar si punonjës policie dhe gjithashtu nuk ka kryer raportimin e ngjarjes. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
Sherri u regjistrua një ditë më parë rreth orës 17:20, në lagjen nr. 17, në rrugën “Muzakajt”. I plagosuri ndodhet ende në spital por jashtë rrezikut për jetën.