PRISHTINË- 5 persona janë arrestuar në Kosovë pasi që dyshohet se po përgatisnin vepra terroriste. Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se pas një hetimi disa mujor dhe zbatimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, është zhvilluar një operacion nga ana e Policisë së Kosovës, që ka sjellë prangosjen e 5 personave. Ndërkohë që në banesat e tyre janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.
“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 paragrafi 1lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2 i KPRK-së”, thuhet nga prokuroria.
Po ashtu, Prokuroria Speciale bën të ditur se brenda afateve kohore ligjore do të bëjë kërkesë për caktim të paraburgimit për pesë personat e ndaluar, por nuk bëhet me dije asnjë detaj tjetër lidhur me identitetin e tyre.