Disa orë pas kërcënimit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti do dalë në një konferencë për shtyp.
Kurti do të mbajë një konferencë së bashku me Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, siç bën me dije Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.
ZKM’ja ka bërë me dije se në këtë konferencë, Kurti dhe Murati do të flasin për operacionalizimin e masës 2.1-Subvencionimi i Kredive Investive – dhe masës 2.4 – Mbështetje e eksportit- të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
“Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mbajnë konferencë për media, në lidhje me operacionalizimin e masës 2.1-Subvencionimi i Kredive Investive – dhe masës 2.4 – Mbështetje e eksportit- të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në njoftim. Konferenca do të mbahet në orën 10:00 ku me siguri Kurti do të pyetet edhe për kërcënimin që ka marrë dje.
Nga Zyra e Kryeministrit kanë konfirmuar mbrëmë vetëm se Kurti është kërcënuar duke mos treguar arsyen apo formën se si e ka pranuar kërcënimin. Në media është publikuar një postim kërcënues në grupin “Shes blej gjithçka”, në rrjetin social “Facebook”. 35 mijë euro “ishte në gjendje t’i ofronte” për “kokën” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.