Bizneset kanë shfrytëzuar skemën e dytë të garancisë sovrane deri në afatet e fundit të parashikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE).
Megjithëse afati i aplikimit ishte mbyllur që në fund të tremujorit të dytë, shuma e garantuar nga qeveria në kuadrin e kësaj skeme është rritur edhe gjatë tremujorit të tretë, falë disbursimeve të kryera për aplikimet e tremujorit të dytë.
MFE bën të ditur se, në fund të shtatorit, shuma e garantuar nëpërmjet skemës së dytë arriti në 7.9 miliardë lekë, 5% më shumë krahasuar me muajin qershor. Megjithëse shuma e përdorur është rritur në tremujorët e fundit, ajo nuk shoi më shumë se 53% e fondit prej 15 miliardë lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare.
Skema e dytë e garancisë sovrane u miratua në muajin maj 2020 dhe kishte qëllim mbështetjen e rimëkëmbjes së aktivitetit të biznesit. Kjo skemë fillimisht kishte afat fundin e vitit 2020, por në muajin janar qeveria shqiptare vendosi ta shtyjë deri në 30 qershor 2021. Mbështetur në këtë skemë, qeveria mori përsipër të garantojë 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta merrte përsipër vetë banka kredituese. Për një fond garancie prej 7.9 miliardë lekësh, portofoli maksimal i kredisë së gjeneruar mund të llogaritet në afërsisht 13.2 miliardë lekë.
Përdorimi i këtij instrumenti ka qenë shumë i ndryshëm për banka të ndryshme, në varësi të rrezikut që secila prej tyre ka zgjedhur të marrë përsipër. Për këtë arsye, në muajin mars qeveria shqiptare vendosi një rishpërndarje të tij drejt atyre bankave që e kishin shfrytëzuar pjesën e alokuar për to vitin e kaluar. Sipas bankave, sektorët që janë mbështetur më shumë nga skemat e garancisë sovrane janë industritë dhe disa prej degëve të shërbimeve që u prekën më shumë nga kriza. Megjithatë, përfaqësuesit e biznesit kanë shprehur rezerva rreth kësaj skeme, që, sipas tyre, iu shërbeu kryesisht atyre bizneseve që mund të merrnin kredi edhe pa të.
Pas pandemisë, qeveria shqiptare miratoi dy skema të garancisë sovrane për të mbështetur huamarrjen e kompanive private të prekura nga efektet e pandemisë. Linja e parë u miratua në muajin prill dhe kishte si qëllim garantimin e likuiditetit të nevojshëm për shlyerjen e pagës gjatë periudhës që shumë biznese ndërprenë ose reduktuan ndjeshëm aktivitetin. Ajo kishte një vlerë limit prej 11 miliardë lekësh. Në fund të muajit shtator, shuma totale e garantuar nga skema e parë ishte rreth 2.2 miliardë lekë, në rënie të ndjeshme me 27% krahasuar me tremujorin e dytë. Shuma e përdorur nga skema e parë e garancisë është në rënie, sepse ajo ishte konceptuar si një formë mbështetje afatshkurtër për të siguruar shlyerjen e pagave të punonjësve dhe afati i aplikimit u mbyll në mesin e vitit të kaluar. Një pjesë e kredive të dhëna në kuadrin e kësaj skeme janë shlyer ose amortizuar pjesërisht tashmë.
Sipas informacionit të MFE, në fund të muajit shtator shuma e garantuar për të dyja skemat arriti në afërsisht 10.1 miliardë lekë, nga rreth 10.5 miliardë lekë që kishte qenë në mesin e këtij viti. Rënia ka ardhur kryesisht nga amortizimi i portofolit të kredisë që i takonin skemës së parë të garancisë sovrane.
Marrë nga Monitor.al