Bashkia e Tiranës ka arkëtuar në vitin 2020 përmes Tirana Parking 403 milionë lekë në total nga parkimet në territorin e saj.
Kjo shumë ishte 15 për qind më e ulët sesa në vitin paraardhës si efekt i karantinës dhe minimizimit të lëvizjes për shkak të COVID por në raport me shpenzimet e kryera Bashkia ka pasur një suficit prej 245 milionë lekësh edhe në vitin e pandemisë. Pavarësisht këtyre shifrave një auditim i Kontrollit të Larë të Shtetit nënvizon se situate e parkimeve në Bashkinë më të madhe të vendit ka elementë ku çalon.
“Menaxhimi i parkimeve në Bashkinë Tiranë në nivel strategjik vuan nga një planifikim i dobët, i cili nuk është mbështetur në analiza të detajuara, duke mos siguruar kështu ndarjen e strukturave përgjegjëse për kryerjen e aktiviteteve specifike, kostim të aktiviteteve, apo rezultate të pritura vit pas viti në të cilin shtrihet strategjia. Kjo situatë ka shkaktuar që 20% e projekteve të parashikuara në dokumentin strategjik “Strategjia e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Bashkisë Tiranë 2018-2022”, të mos jenë zbatuar” thuhet në dokument.
I njëjti analizon se shumë poste parkimi shfrytëzohen nga kompanitë të cilat janë aktualisht duke ndërtuar në zona të ndryshme të kryeqytetit e për rrjedhojë kanë hequr mundësinë e arkëtimit të të ardhurave nga to përmes pagesave që mund të kryheshin nga qytetarët që do i shfrytëzonin.
“Problematika të shumta u konstatuan në bllokimin e posteve të parkimit me pagesë nga ndërtimet që po zhvillohen në qytet, apo uzurpimet arbitrare duke cenuar performancën e procesit. Mungesa e raporteve të monitorimit nuk siguron rezultate solide në drejtim të arritjes së vizionit të Bashkisë për administrimin e parkimeve çka përmban riskun e mungesës së efektivitetit dhe eficiencës së këtij funksioni” thuhet në dokument.
Një tjetër element që sjell në vëmendje auditimi është vendosja e tarifave e cila nuk ka në bazë një analizë të mirëfilltë se ku e ka burimin. Kështu audituesit kanë nënvizuar se targetet operacionalë të vendosur për vitet 2018-2022 nga TP(Tirana Parking), janë të hartuar pa patur një analizë institucionale paraprake duke mos siguruar kështu relevancën e tyre për të matur arritjen e objektivave operacionale. “Në mungesë të analizave argumentuese, tarifa e vendosur përban riskun që nuk pasqyron vlerën reale për shërbimin e marrë nga qytetarët” sqaron KLSH.
Parkimet në Korçë
I njëjti auditim ndalet edhe në qytetin e Korçës ku sërish haset e njëjta problematikë lidhur me planifikimin. Raporti konstaton se planifikimi i dobët i projekteve test për parkimet në këtë qytet, ka shkaktuar në 67% e tyre të mos zbatohen, duke mos siguruar përfitimet që rrjedhin nga menaxhimi i duhur i parkimeve si p.sh. përmirësimi i lëvizshmërisë urbane, mbështetje më e madhe për ekonominë lokale, siguri e rritur rrugore, cilësi më e mirë e ajrit, etj.
“Problematika të shumta u konstatuan me plotësinë, qartësinë dhe saktësinë e sinjalistikës horizontale dhe vertikale të parkimeve në qytetin e Korçës. Nga ana tjetër, sistemi i dobët i monitorimit dhe kontrollit të zbatimit të kuadrit ligjor dhe rregullator për parkimet në qytet, nuk ka mundësuar identifikimin dhe marrjen e masave për përmirësim. Sa më sipër, menaxhimi i parkimeve publike në qytetin e Korçës vuan nga mungesa e efektiviteti dhe eficiencës” thuhet në auditim.
Marrë nga Monitor.al