Individët blenë 12.7 miliardë lekë bono dhe obligacione qeveritare në ankandet e tregut primar për 9-mujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se shuma e investuar në ankande nga individët këtë vit ka pësuar një rënie të lehtë me 1.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e AMF tregojnë se edhe këtë vit investimet e individëve kanë shkuar në pjesën më të madhe për bono thesari. Ato arritën vlerën e 7.1 miliardë lekëve, me një rritje prej 3.9% krahasuar me një vit më parë. Instrumentet afatshkurtra përbënin rreth 56% të investimeve të individëve në titujt e borxhit qeveritar për periudhën 9-mujore.
Këtë vit, investimet në obligacione kanë pësuar rënie në vlerën e 5.6 miliardë lekëve, 7.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse investimet në obligacione kanë rënë në vlerë, si numër transaksionesh ato janë rritur me 22% krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon për një shtim të numrit të individëve që investojnë në titujt afatgjatë të qeverisë shqiptare.
Gjithnjë e më shumë shqiptarë po zgjedhin të marrin pjesë vetë në ankandet e tregut primar, përmes ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. Sipas faqes zyrtare të AMF, aktualisht në Shqipëri ka 12 shoqëri komisionere për investimin në tituj, por pjesa dërrmuese e volumit të transaksioneve nga individët bëhet nga bankat tregtare të licencuara për këtë shërbim. Investimi në obligacione është bërë gjithmonë përmes ndërmjetësve financiarë të licencuar, ndërsa investimi në bono thesari mundësohej edhe nga Banka e Shqipërisë. Por, në Gusht 2020 Banka e Shqipërisë vendosi ndërprerjen e ofrimit të shërbimit të pjesëmarrjes në ankandet e bonove për individët. Duke filluar nga viti 2021, banka qendrore nuk do të pranojë më hapjen e llogarive të reja për këtë qëllim dhe individët do të mund ta marrin këtë shërbim vetëm prej bankave tregtare të licencuara nga AMF.
Tregu i shërbimit të investimit në titujt e qeverisë shqiptare edhe këtë vit vazhdon të dominohet nga banka Raiffeisen. Për 9-mujorin 2021, 61% e investimeve të individëve në bono dhe 37% e investimeve në obligacione u bënë nëpërmjet bankës Raiffeisen. E dyta renditet Banka Kombëtare Tretare, me 20% të investimeve në bono dhe rreth 27% e investimeve në obligacione. Bankat e tjera kanë pjesë tregu modeste, sidomos për sa i takon investimeve në bono, megjithëse e ofrojnë këtë shërbim prej vitesh.
Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, individët mbanin rreth 17.6% të stokut të borxhit të brendshëm publik në fund të shtatorit 2021. Në vlerë, kjo përkthehet në afërsisht 119 miliardë lekë.
Ndërkohë që investimet e individëve në tregun primar ngelen në nivele të konsiderueshme, tregu dytësor i titujve të qeverisë ka përmasa modeste dhe në rënie të mëtejshme. Blerjet nga portofoli i ndërmjetësve financiarë për 9-mujorin pësuan rënie me pothuajse 27% krahasuar me një vit më parë, ndërsa blerjet para afatit të maturimit (shitjet e titujve nga individët te bankat) ranë me 23%./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al