Zyrtarë të NATO-s nuk pranuan të komentojnë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt si në Nagorno Karabak, nëse përpjekjet për paqe dështojnë.
Në pyetjen e Radio Evropa e Lirë se si e sheh NATO paralelen që ka tërhequr Vuçiq midis Kosovës dhe Nagorno Karabakut, nga selia e aleancës ushtarake thanë se “misioni i KFOR-it [në Kosovë], i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit nga Kombet e Bashkuara, për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.
“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”,- tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Vuçiq tha të enjten se zgjidhja më e mirë e mundshme midis Serbisë dhe Kosovës është përmes dialogut, në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno Karabakut.