Normat e interesit të kredive në lekë për bizneset qëndruan në nivele të ulëta edhe në tremujorin e tretë të vitit, duke reflektuar një përqasje pozitive të bankave ndaj financimit të sektorit privat.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kushtet e pandryshuara monetare edhe një ambient i qetë financiar kanë favorizuar bankat në këtë drejtim. Në tremujorin e tretë të vitit, normat e interesit të kredisë për biznese kanë qëndruar në nivele të afërta me tremujorin e dytë.
Norma mesatare e interesit për këtë segment rezultoi 5.6%, nivel i njëjtë me mesataren e gjysmës së parë të vitit. Përtej luhatjeve mujore, interesat e aplikuara nga bankat tregojnë rreziqe të kontrolluara, duke mbështetur momentin pozitiv të ekonomisë. Analiza e normave sipas segmenteve tregon një zvogëlim të interesave tek segmenti i kredive deri në 35 milionë lekë. Norma mesatare e interesit për këto kredi rezultoi 5.6% në tremujorin e tretë, nga 5.8% dhe 6.2% që ishte në dy tremujorët paraardhës. Ky segment përfaqëson kryesisht kreditë që jepen për bizneset e vogla dhe të mesme (SME).
Ndërkohë, interesi mesatar për kreditë në segmentin mbi 35 milionë lekë ka regjistruar rritje këtë tremujor, duke rezultuar 5.5% nga 5.2% që ishte një tremujor më parë. Kjo rritje ka reflektuar vlerat veçanërisht të larta të muajit shtator për kreditë 35 – 140 milionë lekë, si edhe nivelin e interesave për kreditë mbi 140 milionë lekë në muajin korrik. Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson se normat e interesit në këtë segment gjithsesi karakterizohen nga luhatshmëri e lartë.
Ecuri të njëjtë kanë treguar edhe interesat për kreditë në euro, të cilat kanë regjistruar vlera të ngjashme me tremujorët e mëparshëm. Norma e interesit për kreditë në euro për bizneset është shfaqur e qëndrueshme në tremujorin e tretë të vitit. Ajo rezultoi 4.4%, duke qenë lehtas më poshtë se tremujori i dytë (4.5%) dhe e njëjtë me tremujorin e parë të vitit. Sipas madhësisë
së kredisë, interesat kanë shënuar ulje minimale tek kreditë e vogla edhe tek kreditë e mëdha (mbi 1 mln euro), ndërkohë që segmenti i mesëm nuk ka ndryshuar. Analiza sipas periudhës së fiksimit të normës së interesit tregon se interesi i kredive me normë interesi të fiksuar deri në një vit ka shfaqur rritje të lehtë gjatë këtij viti (4.7% në këtë tremujor nga 4.4% në fillimin e vitit). E
kundërta ka ndodhur me kreditë me normë të fiksuar mbi një vit.
Ndërkohë, gjatë tremujorit të të tretë dhe kushtet jo-çmim janë lehtësuar disi për bizneset, duke konfirmuar një përqasje më pozitive të bankave ndaj financimit të tyre. Përmirësimi i situatës makroekonomike, si edhe perceptimi për perspektivën e ekonomisë i ka bërë bankat të shfaqin tolerancë më të lartë në procesin e miratimit të aplikimeve për kredi nga bizneset. Toleranca më e lartë e bankave në aprovimin e kredive të reja u reflektua dhe në numër më të lartë aprovimesh në raport me totalin e kërkesave për kredi nga ana e bizneseve.
Përmirësimi i shpejtë i aktivitetit ekonomik në vend dhe përqasja më pozitive e bankave ndaj kreditimit kanë ndihmuar në përmirësimin e ritmeve të rritjes së kredisë për biznese në tremujorin e tretë. Rritja e portofolit ka arritur në 8% me bazë vjetore. Kjo rritje është mbështetur nga normat më të larta të rritjes si të kredisë për biznesin e madh ashtu edhe atij të vogël, të cilat shënuan përkatësisht 6.3% dhe 8.9%. Zgjerimi i kredisë për biznesin e vogël e të mesëm ka ardhur kryesisht në lekë, ndërsa e kundërta ka ndodhur për kredinë e biznesit të madh, e cila në këtë tremujor ka njohur rritje në kredinë në valutë. Në fund të tremujorit, kredia për biznesin e madh përbënte 52% të tepricës së kredisë për bizneset.
Marrë nga Monitor.al