Kosova nuk do të pranohet në Bashkimin Evropian nëse nuk nënshkruan marrëveshje me Serbinë.
Ky është kushti që Viola von Cramon, raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, ka deklaruar shprehimisht para deputetëve kosovarë dhe përfaqësisë ndërkombëtare, në seancën e shtatë mbi Stabilizim-Asociimin e Kosovës në BE.
“Pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pranimi në BE nuk do të ndodh për dy vendet. BE-ja duhet t’i shërbejë Kosovës dhe Serbisë për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të paqes. I gjithë rajoni do të vazhdojë të jetë një tokë për ndikimet huaja dhe për të prishur stabilitetin e BE-së, siç e kemi pa në Bosnje”, tha ajo.about:blank
Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Romeo Franz, tha se Kosova e meriton dhe ka plotësuar gjitha kriteret për heqjen e regjimit të vizave.
“E kuptoj shumë mirë se mund të ndiheni të lënë anash nga disa vende në BE, mirëpo në Parlamentin Evropian është një konsensus i gjerë se Kosova e meriton dhe ka nevojë për vëmendjen tonë të vazhdueshme. Kur kemi të bëjmë me liberalizimin e vizave ne jemi aleat të juaj të palëkundur, ne nuk kemi t’iu bindim për këtë, ju e dini këtë. Disa vende akoma po hezitojnë për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Të jeni të bindur qartë për këtë se liberalizimi i vizave ka të bëjë me mbajtjen e premtimeve të BE-së, premtime këto që janë dhënë para tri vitesh”, deklaroi Franz.
Pjesëmarrës në këtë seancë ishte shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori Tomáš Szunyog, i cili kërkoi që të punohet për bindur Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave, megjithëse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për largimin e regjimit të vizave.
Szunyog tha se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, por duhet të punohet për të arritur këtë qëllim.
“E dimë sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Zonja Von Der Leyen ka qenë e qartë në këtë pikë, Komisioni i qëndron prapa vendimit të korrikut të vitit 2018 që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Propozimi është mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian në lexim të parë, por është në shqyrtim në Këshill”, tha ai.
Megjithatw, Szunyog thotë se Kosova duhet të vazhdojë të punojë në zbatim të reformave.
“Unë llogaris në mbështetjen e anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe të deputetëve që janë këtu sot që të vazhdojnë të punojnë me Parlamentin Evropian për ta arritur këtë qëllim. Kuvendi ka rol të rëndësishëm që duhet ta luajë në zbatimin e reformave dhe prioritetizimin e reformave në sundim të ligjit”, ka thënë ai në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë.