Rritja e përgjithshme e çmimeve që ka përfshirë të gjithë globin pas pandemisë, në Shqipëri po reflektohet me ritme më të ulta se në Europë. Sipas metodologjisë së Eurostat, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve u rrit gjatë tetorit me 2.5 për qind, një nga nivelet më të ulta në Europë, pas Portugalisë, Maltës dhe Zvicrës. Në tetor rritja e përgjithshme e çmimeve në Europë ishte 4.4%,.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 3,9 % vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Transporti”, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 3,0 %, “Argëtim dhe kulturë” me 2,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,6 % secili, “Veshje dhe këpucë” me 1,2 %, “Shëndeti” me 1,0 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,4 %.
Presionet e ulëta më inflacionin në vendin tonë lidhen me përqendrimin e lartë të shpenzimeve mujore në artikujt ushqimore (rreth 42%). Frutat dhe perimet të cilat kanë peshë në shportën e e ushqimeve prodhohen në vend. Klima e ngrohtë e vjeshtës ka favorizuar prodhimet e vona të cilat po shiten me çmime si në sezonin e verës.
Banka e Shqipërisë ka arsyetuar më herët se rritja e çmimeve në Shqipëri më shumë se sa ndryshimet në tregjet ndërkombëtare varet nga kërkesa e brendshme dhe rritja e punësimit. Treguesit e punësimit në vendin tonë nuk u përmirësuan me ritme të njëjta si rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,7 %.
Në muajin Tetor 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,2 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti” me 1,2 %, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,3 % secili, “Komunikimi” me 0,2 %.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shërbimi arsimor”, “Hotele kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,2 % secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,1 %
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.
Marrë nga Monitor.al