“Qeveria e re nuk duhet të bëjë lëshime nga pozitat nacionale posaçërisht kur bëhet fjalë për identitetin dhe historinë bullgare dhe të drejtat e bashkatdhetarët tanë prapa kufirit”, kështu ka deklaruar presidenti bullgar Rumen Radev pas rizgjedhjes, duke konfirmuar edhe një herë veton që po mban peng zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Këtë deklaratë Radev e bëri pas fitores në zgjedhjet presidenciale, ku fitoi mandatin e dytë.
Pas kësaj ka reaguar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili shkruan në Facebook se kishte biseduar me Radev dhe se kishin rënë dakord që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut “do të vazhdojnë përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë të kërkojnë zgjidhje në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”.
Bullgaria e shikon si të parakohshme fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë Veriore me Bashkimin Europian, duke penalizuar kështu edhe Tiranën për shkak se integrimi i dy vendeve është parashikuar në bllok.
E teksa vendet anëtare të BE kanë dhënë konsensusin e tyre për zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare, shpresat ishin përqendruar pikërisht te ndryshimi i kursit të politikës në Bullgari, gjë e cila duket se nuk ka ndodhur.
Të njëjtën gjë e konfirmoi më parë edhe partia “Ne vazhdojmë ndryshimin” që doli e para në zgjedhjet e para në Bullgari më 14 nëntor dhe pritet të formojë qeverinë e re në koalicion me tre parti të tjera. Kreu i kësaj partie, Daniel Lohrer tha se nuk pritet që Bullgaria të heqë veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, duke mbajtur peng kështu edhe Shqipërinë.
Presidenti bullgar Rumen Radev ka fituar një mandat të dytë me një epërsi të thellë, ndërsa votuesit në vendin më të varfër të Bashkimit Evropian mbështetën mesazhin e tij të fortë kundër korrupsionit. 58 vjeçari Radev kryesoi ndaj kundërshtarit të tij Anastas Gerdzhikov me rreth 65 % të votave.