KOSOVË- Kosova mund të rrezikohet nga përhapja e variantit të ri të koronavirusit, Omicron që ka prekur tashmë shumë vende të botës.
Kështu mendojnë infektologët që kanë bërë thirrje për vigjilencë sa i përket respektimit të masave mbrojtëse, sidomos pasi ende nuk dihet saktë shkalla e agresivitetit të këtij varianti të ri.
Infektologët po ashtu kanë thënë se institucionet duhet të vendosin masa të reja kundër COVID-19 duke pasur gjithmonë parasysh lëvizjet e virusit dhe situatën aktuale epidemiologjike.
Deri më tani, në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast me variantin Omicron.
Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Omicron, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut, ishte “variant shqetësues”.
Zyrtarët në Afrikën e Jugut kanë thënë se 90 për qind e rasteve të reja janë me variantin Omicron, që ka numër të madh të mutacioneve.
“Pacientët kryesisht ankohen për dhimbje trupi dhe lodhje dhe këto simptoma ne i kemi hasur te pacientët e rinj, jo te personat më në moshë”, -ka deklaruar për BBC, Angelique Coetzee nga Shoqata e Mjekëve të Afrikës së Jugut.
Infektologu Sali Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se periudha e festave të fundvitit rrit rrezikun për shfaqjen e rasteve me këtë variant të virusit edhe në Kosovë.
“Ky variant paraqet një kërcënim edhe për neve, sidomos tash afër festave të Vitit të Ri kur te ne munden të vijnë bashkëqytetarët tanë nga vende të ndryshme të botës”, tha ai.
Ahmeti u shpreh se edhe pse nuk dihet saktë shkalla e rrezikut nga varianti i ri i virusit, qytetarët dhe institucionet duhet të kontribuojnë në shmangien e përhapjes së tij.
“Ne duhet të jemi syhapur dhe vigjilentë. Duhet t’i përcjellim kërcënimet potenciale që mund t’i paraqesë ky virus”, tha ai.
Edhe infektologu, njëherësh drejtori i Shërbimit Klinik Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova është e rrezikuar nga shpërndarja e variantit Omicron.
“Atë që e kemi parë në variantet e tjera, është jo e besueshme që ndonjë vend mundet të kursehet. Varet edhe sa do të ketë qarkullim të njerëzve”, tha ai.
Deri më tani, varianti Omicron është shpërndarë në shumë vende të botës, përfshirë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Itali, Belgjikë, Danimarkë, Botsvanë, Izrael, Australi, Hong Kong dhe Çeki e të tjera.
Ministria e Shëndetësisë (MSH) në Kosovë më 27 nëntor bëri të ditur se gjatë një takimi të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19, është diskutuar për variantin Omicron.
MSH-ja ka paralajmëruar se nga java që nis më 29 nëntor do të bëhet rishqyrtimi i masave në fuqi dhe do të marren masa të tjera “sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19”.