Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ktheu tek bizneset rreth 47% të arkëtimeve nga TVSH-ja gjatë 10-mujorit 2021.
Rimbursimi i TVSH-se arriti në 21 miliardë lekë (170 mln euro) me një rritje mbi 59% në krahasim me te njëjtën periudhë të vitit 2020.
Tatimet arkëtuan 45,4 miliardë lekë nga TVSH në 10-mujor 2021, me një rritje mbi 25% në krahasim me vitin 2020, prej të cilave rimbursuan 21 miliardë lekë.
Vlerat e larta të rimbursimit këtë vit u nxiten nga arkëtimet e mbara te të ardhurave dhe nga zgjedhjet e përgjithshme të prillit. Gjatë muajit prill, TVSH e rimbursuar ishte mbi 3.7 miliardë lekë, gati dyfishi i sasisë së rimbursuar në muajt e tjerë.
Administrata Tatimore për këtë vit parashikon të rimbursojë 173 milionë euro TVSH për bizneset, por me ecurinë e deritanishme kjo norme pritet të tejkalohet. Tatimet kanë vendosur një kufi, sipas të cilit, në rast se një subjekt duhet rimbursuar mbi 1.2 milionë euro, pagesa mund të bëhet me këste.
Rimbursimet e larta po çojnë borxhin e i TVSH -së prapambetur drejt zeros. Në fund të tremujorit të tretë të 2021, treguesi arriti vlerën e rreth 1,72 miliardë lekëve, duke shënuar një rënie me 85 % krahasuar me stokun në fund të tremujorit të tretë 2020 dhe një rënie me 71 % krahasuar me stokun ne fund të tremujorit paraardhës.
Në fund të vitit 2020, Ministria e Financave raportoi 9,7 miliardë lekë detyrime të prapambetura në zërin “Nga rimbursimi i TVSH”-së. Deri në muajin mars 2021 këto detyrime u përgjysmuan dhe tani janë shuar gati të gjitha.
Gjatë vitit të kaluar është dhënë për rimbursimin e TVSH-së rreth 193 milionë euro, që u është shpërndarë 1360 subjekteve si eksportues, fason, apo edhe grumbullues, duke tejkaluar planin fillestar me 4.5 miliardë lekë.
Rimbursimi i TVSH shpesh shoqërohet me problematika për shkak se në çdo kohë funksionojnë skema të mirëfillta mashtrimi që përfitojnë pa të drejtë rimbursim.
Shtrenjtimi i çmimeve të mallrave të importit në tregjet ndërkombëtare ka nxitur rritjen e të ardhurave doganore. Çmimet më të larta çojnë në pagesa të larta të TVSH, pasi tatimi vilet në përqindje të çmimit. Çmimet e larta veç të tjerash kanë ndikuar edhe në rritje indirekte të tatimeve që vilen në përqindje të çmimeve.
Marrë nga Monitor.al