Policia e Kosovës njofton se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar gjoba ndaj 778 qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
“Tiketa të shqiptuara në bazë të ligjit COVID-19 janë 778”, thuhet në këtë raport të Policisë së Kosovës, i cili nuk specifikohen shkeljet që i janë bërë këtij Ligji.
Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së COVID-19, është miratuar në muajin gusht nga Kuvendi i Kosovës. Gjobat për mosrespektim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID -19 fillojnë nga 35 deri në 2000 euro, varësisht nga shkeljet.
Të premten më 13 nëntor në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) që prej 13 marsit e deri më 10 tetor, në Kosovë janë regjistruar 27,851 raste me koronavirus.