Portali syri.net ka publikuar një letërporosi e mbërritur nga autoritetet e Belgjikës ku shkruhet se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duhet të procedohet penalisht ose ri-dëgjohet për çështjen e parave të futura kontrabandë në tetor 2018 në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”.
“Nga Prokuroria e Përgjithshme, në datë 21.04.2021 është përcjellë kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike e Gjyqtarit hetues pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Bruksel, Belgjikë në kuadër të hetimeve ndaj shtetasve shqiptarë Alfres Vladi, Elivs Vladi, Eduart Cani, alias Edi Lika, Klevi Cani etj. për kryerjen e veprave penale të dokumenteve të falsifikuara.
Ministria e Drejtësisë i ka dhënë rrugë ekzekutimit të letër-porosisë së Autoriteteve belge të Drejtësisë në lidhje me procedimin penal në ngarkim të shtetasve: Lulzim Basha, i biri i Xhelal dhe Remzije, lindur më 12.06.1974 në Tiranë dhe banues në Tiranë, i martuar dhe me nënshtetësi dhe etni shqiptare.
Lulzim Basha, në datën 21 qershor 2018 ka bërë një deklaratë para Parlamentit shqiptar, ku ka lajmëruar mbërritjen e fondeve në cash, fonde të cilat u bllokuan në datën 24.06.2018 në Durrës dhe ka akuzuar ministrin Taulant Balla dhe dy parlamentarë të tjerë Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja se janë këta persona në origjinë të dërgimit të këtyre fondeve në lidhme me krimin e organizuar.
Basha është dëgjuar edhe si dëshmitar në Tiranë, në datën 25 korrik 2019 në kuadrin e ekzekutimit të letërporosisë tonë të ndihmës së ndërsjellë të 30 prillit 2019 në praninë e dy anëtarëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai i ka përsëritur aty fjalët e thëna në Parlament, por ka refuzuar të japë shpjegime në detaje (ndër të tjera të identifikojë burimet) duke afirmuar se i ruan detajet për drejtësinë belge në kuadrin e një interviste të mëvonëshme për të cilën ka thënë se është i gatshëm ta japë në Belgjikë.
Basha është thirrur disa herë nga ana e prokurorisë dhe hetuesve belgë që të ridëgjohet si dëshmitar në Bruksel, por nuk është paraqitur dhe nuk ka dërguar një justifikim bindës në lidhje me mungesat e tij të përsëritura.
Thirrjet e autoriteteve belge të datave 15.11.2019 për t’u paraqitur në datën 9.12.2019; 21.01.2020 për t’u paraqitur në datën 24.01.2020; 14.023.2020 për t’u paraqitur në datën 28.02.2020, si dhe paralajmërimi i datës 03.03.2020 për t’u paraqitur në datën 17.03.2020, kanë mbetur pa përgjigje me shkrim nga ana e tij.
KËRKOJMË:
Lejimin e ekzekutimit të letërporosisë të autoriteteve belge të drejtësisë. Për ekzekutimin e kërkesës për ndihmë juridike të ngarkohen oficerë të policisë gjyqësore në SPAK dhe OPGJ në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”– thuhet në dokumentet e publikuara.
Por vetë Basha i pyetur në emisionin “Real Story” në News 24 tha se është i gatshëm të shkojë drejt Brukselit dhe të japë çdo deklarim në lidhje me çështjen e “Toyota Yaris”.
Ai tha se ka dhënë dëshmi në SPAK, edhe në prani të zyrtarëve belgë lidhur me këtë çështje. Këto zëra, krydemokrati i cilësoi si trillime të fabrikuara nga ish-kryeministri Sali Berisha, për të justifikuar kështu shprehjen sistematike të tij se “Basha është i marrë peng”.
“Kam dhënë dëshminë e plotë. Jam i gatshëm të jap dëshminë. Dëshmia është dhe në SPAK, edhe para zyrtarëve belgë. Unë udhëtoj që sonte drejt Brukselit dhe kam udhëtuar dhjetëra herë. Për herë të fundit kam qenë në qershor. Nuk jemi në rrafshin e trillimeve.
Nëse ka nevojë të jap dëshmi përsëri e jap kudo. Është shenjë dëshpërimi që për të justifikuar trillimin që Basha është peng, do të dëgjoni trillime të tilla. Si mbahet peng Lulzim Basha, që ka tetë vite që bën opozitë. Kultura e vjetër, e linçimit që të justifikojë atë që ka thënë që s’e kthen dot që ky është peng, s’ka si e justifikon.
Nuk është hapur kurrë një çështje ndaj meje në SHBA. Të gjitha këto, përveç përpjekjes për të manipuluar njerëz të lodhur nga 25 prilli prej masakrës zgjedhore nuk ka asgjë tjetër, janë trillime. Jam ftuar për të vizituar SHBA-të dhe siç kam qenë do të vazhdoj të jem në institucionet e Amerikës.
Ata më kanë njohur si partner kur kam çuar Shqipërinë e NATO-s. Më kanë njohur si kryetar të opozitës. Më kanë njohur dhe në çështjet të tjera që kanë të bëjnë me gjeostrategjinë”, – tha Basha.
Si u zbuluan 3.4 euro brenda makinës “Toyota Yaris”
Mbrëmjen e 24 qershorit 2018, policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit. Policia arrestoi në vendin e ngjarjes, pronarin e kompanisë së transportit Edi Lika, Klevis Lika, djalin e pronarit të kompanisë, dhe shoferin e kamionit, Agim Çeku.
Një ditë më pas, më 25 qershor, policia arrestoi Alban Mollaymerin, biznesmenin që ka porositur makinat nga Belgjika. Po ashtu, Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Elvis dhe Alfred Vladin, që dyshohet se ishin personat që do të merrnin paratë. Por në burg përfundoi vetëm Ervis Vladi, i dënuar me 1 vit burg, i cili u gjykua vetëm për mosdeklarim parash.