KOSOVË- Përparim Rama ka marrë zyrtarisht detyrën si kryebashkiak i Prishtinës. Ai ka dhënë betimin ditën e sotme përpara anëtarëve të Kuvendit. Në fjalën e tij Rama ka thënë se nga sot do të vijoj puna për transformimin e Prishtinës. Ai i bëri ftesë shoqërisë civile dhe partive politike që t’i bashkëngjiten në qeverisjen e tij për Prishtinën.
“Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë.
Nga sot, ne iu përvishemi punëve. Prishtina do të jetë qytet i fëmijëve, të moshuarave, prindërve, sportistëve e artistëve. Vend plot mundësi, qytet i gjelbër. Me trafik të komunikueshëm e i digjitalizuar. Të nderuar asamblistë, si kryetar i Prishtinës, do të bashkëpunoj me secilin prej jush, për të mirën e kryeqytetit, për Prishtinën”, ka thënë Rama.
Detyra e të parit të Prishtinës u dorëzua nga ish-kryetari i kryeqytetit Shpend Ahmeti, i cili mori pjesë edhe në ceremoninë e betimit të Ramës.