Banka e Shqipërisë ka miratuar disa masa të posaçme rregullatore, për të lehtësuar kreditimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nga bankat tregtare.
Muajin e kaluar, Këshilli Mbikëqyrës miratoi një vendim qarkullues për ndryshime të përkohshme në rregulloren për mjaftueshmërinë e kapitalit. Vendimi përcakton se, vetëm për vitin 2021, bankave do t’iu lejohet të ponderojnë me peshë rreziku zero kreditë në valutë të huaj për OSHEE, me kusht që këto të jenë të garantuara plotësisht nga qeveria shqiptare.
Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në fakt, është marrë posaçërisht për të lehtësuar disbursimin e dy kredive me vlerë totale 30 milionë euro, të marra nga OSHEE pranë dy bankave tregtare në vend. Në fillim të këtij muaji, Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e garancisë sovrane për një hua në vlerën e 20 milionë euro nga Banka OTP Albania dhe për një hua në vlerën 10 milionë euro nga Banka Amerikane e Investimeve.
Nevojat për rritje të importeve të energjisë elektrike dhe shtrenjtimi i çmimeve që nisi në vjeshtë i ka vendosur në sprovë kompanitë e sektorit energjetik në vend. Qeveria vendosi në dispozicion të kompanive të sektorit një fond prej 10 miliardë lekësh, para që kanë shkuar kryesisht për të mbuluar nevojat për blerje të energjisë elektrike. Veç fondeve të alokuara në mënyrë direkte, kriza e çmimeve të energjisë ka shtruar nevojën edhe për të përdorur mekanizmin e garancive. Siç dihet, kompanitë energjetike në vend nuk kanë aftësinë për të siguruar hua nga sektori bankar pa ofrimin e garancisë sovrane nga qeveria shqiptare. Deri më sot, ky mekanizëm është shfrytëzuar kryesisht nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Në fund të tremujorit të tertë 2021, vlera e garancive të dhëna nga buxheti në favor të KESH për garantimin e huave bankare kishte vlerën e 4.1 miliardë lekëve.
Në total, kredia e sektorit bankar për kompanitë publike në fund të muajit tetor kishte vlerën e 13.4 miliardë lekëve ose rreth 110 milionë eurove. Portofoli i kredisë në këtë segment ka ardhur në rënie të ndjeshme në dy vitet e fundit, kryesisht për shkak të nevojave më të pakta për të financuar blerje energjie. Por, vjeshta e këtij viti e ka përmbysur situatën dhe kreditë e bankave për kompanitë e sektorit energjetik janë sërish në rritje.
Në të njëjtin vendim të muajit nëntor, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë iu lejonte bankave tregtare të ponderojnë me peshë rreziku 0% edhe titujt e borxhit në monedhë të huaj të emetuara nga qeveria shqiptare gjatë vitit 2021. Ky vendim u mor posaçërisht për të lehtësuar pjesëmarrjen e bankave në procesin e Eurobondit që qeveria shqiptare emetoi muajin e kaluar në Bursën e Londrës.
Këto lehtësi të përkohshme kanë mundësuar që sektori bankar të investojë në instrumente të huasë për sektorin publik. Për bankat kjo ka qenë një mundësi e volitshme për të investuar me kthime më të leverdishme dhe me rrezik relativisht të ulët një pjesë të likuiditeteve të bollshme të lira që zotëron në monedhën europiane.
Marrë nga Monitor.al