SHQIPËRI – Ministria e Financave raportoi se stoku i detyrimeve të prapambetura të qeverisë qendrore u rrit me 10 për qind brenda muajit të tetor duke shkuar në 21 miliardë lekë (175 milionë) euro nga 19,5 miliardë lekë që ishin në fund të shtatorit. Nga tetori i vitit 2020 detyrimet e prapambetura ( të cilat nuk përfshijnë detyrimet që rrjedhin nga gjykatat ndërkombëtare) gati janë dyfishuar. Nga 12 miliardë që ishin vjet në tetor ato rriten në harkun kohor të një viti gati me 80%.
Rritja e detyrimeve të raportuara nga Ministria e Financave po udhëhiqet nga detyrimet në infrastrukturë të cilat janë rritur me 144 % në krahasim me fundit e vitit 2020, duke arritur vlerën e 12,3 miliardë lekëve (100 mln euro) në fund të tetorit 2021 nga rreth 5 miliardë lekë që ishin në fund të vitit 2014. Teksa detyrimet e TVSH, të cilat përbenin më shumë së gjysmën e stokut të detyrimeve ranë në mënyrë të dukshme, është rritur zëri “detyrime të tjera”, i cili shkoi në 9,1 miliardë lekë nga 5.8 miliardë leke qe ishte në vitin 2015.
E gjithë rritja e detyrimeve të prapambetura erdhi nga akumulimet e faturave ndaj punëve të pashlyera në infrastrukturë. Shuma e detyrimeve të prapambetura që nuk reflektohen në borxhin publik por që janë fatura që qeveria shqiptare duhet ti paguajë arrin në 547 milionë euro, nëse përfshihen edhe vendimet e gjykatave të huaja.
Kontrolli i Lartë i shtetit në analizën për zbatimin e buxhetit 2020 të cilën e ka depozituar edhe në Kuvendin e Shqipërisë evidentoi se fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të vitit 2020. Shteti shqiptar ka qenë i paditur në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar në 14 çështje gjyqësore. Nga këto rezultoi se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje, ndërsa 5 prej tyre presin gjykimin pranë këtyre gjykatave.
Për 9 çështjet e gjykuara rezulton se në 5 çështje, në vlerën 388,479,560 euro, janë vendime në disfavor të Shtetit Shqiptar, ndërsa në 4 çështje, në vlerën 10,651,257 euro, janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse dhe vendimi ka rezultuar në favor të Shtetit Shqiptar, sipas KLSH. KLSH vërejti se për këto çështje, Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit. Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave i hap rrugë njohjes së të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor.
Marrë nga Monitor.al